Rama: Të shtyjmë përpara procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve

TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ndërkombëtarizimi i universiteteve është një proces që ka filluar të japë rezultatet e para.
Por sipas kreut të Ekzekutivit, nevojitet që bashkërisht, qeveria dhe trupa drejtuese e universiteteve, të shtyjnë më shumë këtë proces, në mënyrë që shumë nga koha e humbur të mund të rifitohet.
Gjatë firmosjes sot të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, Rama u ndal te puna që po bëhen në këtë drejtim.
Kryeministri theksoi se po bëhen shumë përpjekje për të sjellë realitete të reja akademike nga jashtë, brenda në Shqipëri.
“Duam njëkohësisht të mbështesim edhe më shumë çdo përpjekje që bëjnë universitetet për t’u hapur ndaj botës dhe për t’u krijuar studentëve të tyre këtu në Shqipëri mundësinë që të marrin drejtpërdrejtë, si të ishin jashtë, atë që bota jashtë në të gjithë rrjetin e universiteteve të veta ofron”, shtoi Rama.
/r.e/