E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOLDAVI – Liderët gjerman, francez dhe polak në vizitë të përbashkët

BERLIN, 27 gusht /ATSH-DPA/  – Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk planifikojnë sot të vizitojnë së bashku Moldavinë, e cila kufizohet me Ukrainën.

Tre liderët e BE-së do të marrin pjesë në festimet për 34-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së ish-republikës sovjetike, e cila sot ka rreth 2,6 milionë banorë.

Qëllimi i tyre është të shprehin mbështetjen për presidenten Maia Sandu dhe qeverinë pro evropiane të vendit, përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.

Ashtu si Ukraina, Moldavia është vend kandidat për në BE që prej vitit 2022. Megjithatë, vendi, ndër më të varfrit në Evropë, mbetet i ndarë mes forcave pro evropiane dhe pro ruse.

Ushtarë rusë ndodhen në rajonin separatist të Transnistrisë, një brez i ngushtë toke në lindje të republikës, që prej viteve 1990.

Qeveria në Kishinev akuzon Rusinë për fushata të qëllimshme dezinformimi dhe destabilizimi.

Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, katër parti opozitare pro ruse kanë shpallur krijimin e një blloku zgjedhor.

Merz, Macron dhe Tusk planifikojnë të takohen me Sandun për një darkë pune dhe të mbajnë fjalime në festimet e pavarësisë.

Gjithashtu, është parashikuar një konferencë e përbashkët  shtypi./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›