MOSKË – I dërguari i SHBA-së viziton Rusinë ndërsa Trump rrit përpjekjet për armëpushim në Ukrainë

MOSKË, 11 prill /ATSH-DPA/- I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff ka udhëtuar në Rusi për bisedime me udhëheqjen ruse – ndërsa përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump për të siguruar një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë janë bllokuar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se Witkoff kishte mbërritur në Rusi.
Kremlini tha se Putini do të kryesonte sot një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm në Moskë – i fokusuar në çështjet që lidhen me flotën detare ruse.
Frustrimi i Trump me Putinin duket se po rritet. Në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio e bëri të qartë se Trump nuk do të pranonte taktikat e vonesës së presidentit rus për shumë gjatë.
“Ne do ta marrim vesh shumë shpejt, brenda disa javësh, jo muajsh, nëse Rusia është serioze për paqen apo jo”, tha Rubio në takimin e Brukselit, javën e kaluar.
“Trump nuk do të bjerë në grackën e negociatave të pafundme”, tha ai.
Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus për më shumë se tre vjet.
SHBA-ja është përpjekur të ndërmjetësojë një armëpushim 30-ditor, por ndërsa Kievi ra dakord me propozimin, udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin vendosi një sërë parakushtesh. //a.i/