BRUKSEL – BE paralajmëron për pasoja ekonomike nëse Uashingtoni rivendos tarifat e pezulluara

BRUKSEL, 11 prill /ATSH-DPA/- Komisioneri Evropian i Ekonomisë, Valdis Dombrovskis paralajmëroi sot për pasoja ekonomike afatgjata, si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse Uashingtoni rivendos tarifat, aktualisht të pezulluara, për eksportet e BE-së.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të mërkurën se Uashingtoni do të pezullonte tarifat speciale për importet nga shumica e partnerëve tregtarë, përfshirë BE-në – për 90 ditë – për të lejuar bisedimet e mëtejshme, duke nxitur bllokun për pezullimin e kundërtarifave të tij të planifikuara.
“Sipas modeleve tona më të fundit, simulimet mbi ndikimin e tarifave të SHBA-së, PBB-ja e SHBA-së do të reduktohej me 0,8% në 1,4% deri në vitin 2027″, tha Dombrovskis.
“Ndikimi negativ në BE do të ishte më i vogël se në SHBA – rreth 0,2% e PBB-së – nëse do të zbatoheshin tarifat prej 20% të SHBA-së”, shtoi ai.
“Nëse tarifat konsiderohen të përhershme ose ndërmerren kundërmasa të mëtejshme, pasojat ekonomike do të ishin edhe më të rënda – me deri në 3,1%-3,3% për SHBA-në dhe 0,5%-0,6% për BE-në”, tha ai.
“Duke pasur parasysh pasigurinë e jashtëzakonshme dhe ndryshimin e shpeshtë të vendimeve tarifore, simulimet tona nuk mund të jenë plotësisht të sakta. Por, ato tregojnë prirjen e përgjithshme që tarifat janë të dëmshme për prosperitetin”, tha Dombrovskis.
“Komisioni Evropian vlerëson një rënie të mundshme të PBB-së për SHBA-në 0,8% deri në 1,4% deri në vitin 2027 – dhe humbje më të mëdha prej 3.1 deri në 3.3% në rast të tarifave të përhershme”, tha komisioneri i BE-së.
“Ndikimi negativ në BE do të ishte më i vogël se në SHBA”, tha ai.
BE shpreson se mund të gjendet një zgjidhje e negociuar ndërkohë që rritja e taksave të importit qëndron në pritje.
Megjithatë, Brukseli po përgatitet për mundësinë që përpjekjet diplomatike të dështojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjen tregtare me administrata Trump.
“Nëse negociatat nuk vazhdojnë në një mënyrë të kënaqshme, ka një gamë të gjerë kundërmasash në dispozicion të BE-së”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për “Financial Times” (FT). //a.i/