E Martë, 3 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia ende nuk konfirmon nëse Putini do të takohet me Zelensky në Stamboll

MOSKË, 14 maj /ATSH-DPA/- Vetëm një ditë para takimit, Rusia ende nuk ka konfirmuar nëse presidenti Vladimir Putin do të udhëtojë drejt Turqisë për bisedime të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se delegacioni rus – që do të merrte pjesë në negociatat në Stamboll – do të shpallej kur Putini të jepte urdhrin.

“Delegacioni rus do të presë nesër delegacionin ukrainas në Stamboll”, tha Peskov, pa dhënë detaje të mëtejshme se kush do të përfaqësonte Moskën.

Sipas këshilltarit të Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, presidenti rus nuk kishte gjasa të merrte pjesë në bisedimet në Stamboll.

“Delegacioni do të diskutojë çështjet politike dhe një numër të madh çështjesh teknike. Përbërja e tyre do të përcaktohet mbi këtë bazë”, tha ai.

Zelensky ka konfirmuar qëllimin e tij për të udhëtuar personalisht drejt Turqisë për t’u takuar me Putinin, duke argumentuar se nuk do të negociojë me asnjë figurë tjetër pasi presidenti rus është vendimmarrësi në konfliktin me Ukrainën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›