ATSH mikpret për herë të parë CEO-t e agjencive evropiane të lajmeve

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Agjencia Telegrafike Shqiptare mikpret për herë të parë në Shqipëri, gjatë datave 14-16 maj, Konferencën e Pranverës të Aleancës së Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, me temë ”Kërcënimet ndaj gazetarisë & Agjencitë e lajmeve & Mjetet për t’u mbrojtur”.
EANA u themelua më 21 gusht 1956. Në vitin 1970, agjencitë pas të ashtuquajturës “Perde e hekurt” u ftuan t’i bashkoheshin kësaj aleance.
Paraardhësja e EANA-s, Agences Alliées, u themelua në vitin 1924 dhe ishte aktive deri në Luftën e Dytë Botërore, kur aktivitetet e saj u ndërprenë. EANA shërben si një forum për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni dhe përvojash midis agjencive evropiane të lajmeve.
32 agjenci kryesore evropiane të lajmeve aktualisht po bashkojnë burimet e tyre për të krijuar një platformë të përbashkët mbi çështje kyçe si të drejtat e autorit, inteligjenca artificiale, gazetaria dhe zhvillimi i përgjithshëm i fushës së agjencive të lajmeve.
Organizata fuqizohet nga secila prej agjencive anëtare që përfaqëson 32 vende evropiane me rreth 750 milionë banorë.
Objektivat kryesore për EANA-n janë të sigurojë një mjedis biznesi ku agjencitë e lajmeve mund të përmbushin detyrën e raportimit të pavarur dhe të paanshëm të lajmeve, të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit midis agjencive anëtare dhe t’u ofrojë agjencive anëtare një forum profesional panevropian për diskutime dhe shkëmbim përvojash dhe njohurish duke organizuar seminare dhe konferenca.
Konferenca e Pranverës e EANA-s do të zhvillohet në Hotel Plaza, e ndjekur edhe nga një tur në qendër të Tiranës dhe vizita në muze të ndryshëm.
Kjo konferencë, e prezantuar dhe e sponsorizuar nga ATSH do të trajtojë veçmas edhe temat ”European Newsroom dhe projekte të tjera bashkëpunuese midis agjencive të lajmeve”, ”Pavarësia financiare: Diversifikimi i të ardhurave”, ”Çështjet e të Drejtave të Autorit”, ”Përmirësimet legjislative për agjencitë publike dhe shtetërore të lajmeve” shtuar këtu edhe probleme si siguria kibernetike, mbrojtja e gazetarëve, ndërhyrja nga politikanët, paditë, subvencionet dhe alternativat qeveritare apo dezinformimi dhe verifikimi i fakteve.
Folës kryesorë do të jenë drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, drejtori i lajmeve për Evropën dhe Afrikën në ”Associated Press”, James Jordan, i cili ka një përvojë të madhe te AP, ITN dhe Sky News duke transmetuar histori mbi luftën e Ukrainës; sulmet terroriste në Paris dhe Tunizi, përparimin e ISIS-it në Irak apo bombardimin e koncertit në Mançester.
Folës të tjerë përfshijnë Tina Mari Flem (NTB), Aimilios Perdikaris (ANA-MPA), Nataliya Kostina (Ukrinform), Hanspeter Kellermueler (Keystone-SDA), Jaroslav Kabele (CTK) dhe Peter Kropsch (dpa).
Fjalimet hapëse do të mbahen nga drejtoresha e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe presidenti i EANA-s, njëkohësisht CEO i AFP-së, Fabrice Fries.
CEO i DPA-së, Peter Kropsch, njëkohësisht kryetar i Komitetit të të Drejtave të Autorit të EANA-s do të mbajë fjalimin me temë ”Strukturimi i kontratave të IA-së dhe rregullat më të fundit në nivel BE-je – Rekomandime nga Komiteti i Copyright-it të EANA-s”./ a.jor.