MSHMS: Mirënjohje mjekëve pedagogë që formojnë brezat e rinj

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes uroi sot festën e 7 Marsit të gjithë mjekëve pedagogëve.
Në një postim në rrjetet sociale MSHMS shpreh mirënjohjen për mjekët pedagogë, që me dije, përvojë dhe përkushtim formojnë brezat e rinj të mjekëve dhe kontribuojnë në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Prof.Edvin Selmani mjek ortoped në Spitalin Univeristar të Traumës, SUT, dhe pedagog në Universitetin Mjekësor Tiranë, UMT, tha se në mjekësi çdo ditë është një sfidë për mjekun në misionin e tij për të trajtuar pacientët.
“Por ne që jemi pedagogë të Universiteti të Mjekësisë kemi përgjegjësinë për të ndarë njohuritë tona dhe për të trajnuar brezin e ri të studentëve dhe specializantëve”, u shpreh ai.
“Sot në ditën e mësuesit bëjmë një vlerësim për të gjithë pedagogët që janë përfshirë në mësimdhënien në sektorin e shëndetësisë me studentët pranë këtij universiteti sidomos në SUT. Ne jemi goxha të përfshirë me studentët në trajnimin e tyre, në praktikën e përditshme, në auditore, në seminare dhe në sallat e operacionit. Në mënyrë që këtë eksperiencë që kemi t’ia trashëgojmë studentëve dhe brezit të ri në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të trajtuar pacientët tanë”, tha Selmani.
Prof.Agron Dogjani kirurg i përgjithshëm në SUT dhe pedagog në UMT tha se “i gjithë grupi i studentëve janë pjesë e këtij edukimi.
“Zhvillimin e kësaj lënde e bëjmë jo vetëm në auditore po e konkretizojmë edhe në ambiente të ndryshme spitalore, në ambientet e urgjencës, të sallave të ndërhyrjeve, në sallat e imazherisë ku ne bëjmë konkretizimin e njohurive tona teorike me punën praktike”, tha mjeku.
“Kam kënaqësi që t’i bëj një urim gjithë brezit të pedagogëve, të cilët punojnë në gjithë sistemin arsimor të Shqipërisë aq më tepër në Spitalin Universitar të Traumës apo Universitetin e Mjekësisë që formimin e tyre në vite ta përçojnë tek brezit e rinj, pasi janë e ardhmja jonë”, theksoi Dogjani.
Studentja Blerida Elezaj në vitin e katërt Mjekësi e Përgjithshme tha se “eksperienca që ne përfitojmë në ciklin e ortopedisë traumatologjisë që zhvillohen në SUT dhe jo vetëm si në bllokun operator, në qendrën e konsultave dhe urgjencës do të na shërbejnë më tutje për formimin tonë profesional”.
“Përgëzoj të gjithë profesorët tanë që janë marrë personalisht me ne për të na formuar si mjekë të përgjithshëm duke na dhënë të gjithë formimin e tyre klinik shumëvjeçar edhe ne”, tha studentja.
Klevi Bugallja student i vitit të katërt Mjekësi e Përgjithshme u shpreh se “pedagogët janë treguar të gatshëm për të na ndihmuar për të përvetësuar njohuritë tona si në bllokun operator edhe në atë preoperator dhe në konsulta”.
/k.s/j.p/