E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli godet objektiva ushtarake në Teheran, përfshirë depo raketash dhe Universitetin e Gardës Revolucionare

TEL AVIV, 7 mars /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave në Teheran, përfshirë një depo nëntokësore për raketa balistike dhe një universitet ushtarak të drejtuar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit.

Sipas ushtrisë izraelite, në operacion morën pjesë më shumë se 80 avionë luftarakë. Njoftimi u bë përmes një postimi në Telegram.

Sulmet vijnë në një kohë kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme të gjera ndaj Iranit gjatë javës së fundit.

Nga ana tjetër, Irani ka reaguar duke lëshuar raketa drejt Izraelit dhe disa vendeve fqinje aleate të SHBA-së, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, ku sipas raportimeve janë regjistruar lëshime të reja raketash edhe në orët e fundit.

Ushtria izraelite tha se “Universiteti Imam Hossein” në Teheran përdorej nga Garda Revolucionare si pikë grumbullimi për aktivitetet e saj, ndaj u konsiderua një objektiv ushtarak legjitim.

Sipas deklaratës, u godit edhe një tjetër vend ruajtjeje i njësisë së raketave të Iranit, ku ndodheshin bunkerë ushtarakë dhe infrastrukturë për lëshimin e raketave.

Ndër objektivat e tjerë të sulmeve ishin edhe pozicionet e lëshimit të raketave në Iranin perëndimor dhe qendror, me qëllim dobësimin e aftësisë së Iranit për të kryer sulme ndaj Izraelit.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan gjithashtu dje në mëngjes se kanë nisur një valë tjetër sulmesh ndaj objekteve të lidhura me atë që e quajtën “regjimi terrorist iranian” në Teheran dhe në qytetin qendror të Isfahanit.

Ndërkohë, Irani vazhdoi sulmet ndaj Izraelit gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.

Autoritetet izraelite lëshuan shtatë alarme mes mbrëmjes së së premtes dhe mëngjesit të së shtunës, duke u bërë thirrje qytetarëve në zona të ndryshme të vendit të strehohen për shkak të raketave të ardhura nga Irani.

Fillimisht nuk pati raportime për goditje direkte, dëme nga mbeturinat e raketave apo viktima. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›