E Hënë, 2 Nëntor 2026

MSHMS konsultim teknik mbi Planin e Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2026–2030

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zhvilloi një konsultim teknik me nëpunësit e barazisë gjinore të institucioneve publike qendrore, në kuadër të rishikimit të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2026–2030.

MSHMS bën me dije se “Plani i Veprimit i rishikuar synon të forcojë qasjen ndaj dhunës me bazë gjinore, fuqizimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje, duke u bërë më i qartë në objektiva, më i matshëm përmes treguesve të standardizuar dhe më i lidhur me politikat dhe buxhetimin për rezultate konkrete”.

Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030 përbën dokumentin kryesor politik të Qeverisë për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave e vajzave në vend.

E hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me ministritë e linjës, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë, strategjia synon garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim gjinie, moshe, përkatësie etnike, aftësie të kufizuar, besimi fetar apo orientimi seksual.

Dokumenti, i cili është vazhdimësi e Strategjisë për Barazinë Gjinore 2016-2020, synon ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo individ jeton i lirë nga diskriminimi, praktikat e dëmshme dhe dhuna me bazë gjinore apo dhuna në familje.

Strategjia reflekton prioritetin që Qeveria i kushton arritjes së barazisë gjinore si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ajo lidhet ngushtë me objektivat kombëtare të zhvillimit dhe integrimit evropian, si dhe me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara.

Masat dhe veprimet e parashikuara në këtë strategji janë gjithashtu në përputhje me Strategjinë e Barazisë Gjinore të Bashkimit Evropian, duke synuar forcimin e politikave publike dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›