MUZIKË – Julio Iglesias, nga ikona globale e muzikës latine te përballja me akuza ligjore

MADRID, 14 janar /ATSH – AFP/ – Julio Iglesias, këngëtari spanjoll që fitoi audiencë globale, është një nga artistët latinë më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me një karrierë që shtrihet në disa dekada.
Baladat e tij romantike, pamja gjithmonë e nxirë dhe buzëqeshja karakteristike e kthyen këtë madrilen nga një konkurrent i pavullnetshëm në një festival bregdetar këngësh në një ikonë ndërkombëtare.
I lindur më 23 shtator 1943 në Madrid, në një familje të pasur ku i ati ishte gjinekolog, Iglesias fillimisht ëndërronte futbollin. Ai luajti si portier me ekipet e të rinjve të Real Madridit, por një aksident automobilistik në moshën 20-vjeçare dhe një periudhë e gjatë sëmundjeje i dhanë fund karrierës sportive.
Gjatë rehabilitimit, ai nisi të shkruante këngë dhe të luante kitarë. Ndërsa studionte juridik, dërgoi disa demo në një shtëpi diskografike me shpresën që këngët t’i këndonin të tjerë, por kompania e inkurajoi të merrte pjesë në konkursin e këngës në Benidorm në vitin 1968. Fitorja me “La vida sigue igual” i hapi rrugën një kontrate me “Discos Columbia” dhe turneve botërore.
Me një yll në “Hollywood Walk of Fame”, Iglesias ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Diana Ross, Stevie Wonder dhe Frank Sinatra. Ai kultivoi për vite imazhin e “dashnor latin”, duke folur hapur për jetën sentimentale, dhe në vitin 1984 theu tregun amerikan me duetin “To all the girls I’ve loved before” me Willie Nelson, duke u shndërruar në një artist të madh ndërkulturor.
I njohur për regjistrime në shumë gjuhë, nga anglishtja e frëngjishtja te japonishtja e tagalogja , Iglesias është nderuar me çmime të shumta, përfshirë Medaljen e Artë të Meritës në Arte nga Spanja dhe një Grammy për arritje jetësore. Në vitin 2021, emri i tij u përmend edhe në “Pandora Papers”, që ekspozuan asetet offshore të figurave të pasura globale.
Së fundmi, këngëtari është rikthyer në vëmendjen publike për çështje ligjore: dy ish-punonjëse e akuzojnë për abuzim seksual gjatë punës në pronat e tij në Republikën Domenikane dhe Bahamas në vitin 2021, akuza të cilave Iglesias, tashmë 82 vjeç, nuk u është përgjigjur publikisht.I martuar dy herë, ai ka tetë fëmijë, mes tyre edhe Enrique Iglesias, i cili ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në muzikën pop latine. /Ad.Ab./