E Hënë, 2 Nëntor 2026

MUZIKË – Sean ”Diddy” Combs dënohet mbi katër vjet burg për prostitucion

NJU JORK, 4 tetor /ATSH/ – Figura e njohur botërisht e muzikës hip-hop, Sean “Diddy” Combs u dënua me pak më shumë se katër vjet burg, pasi u shpall fajtor për akuza të lidhura me prostitucionin, që përfshinin dy ish-të dashurat e tij, sipas BBC.

Avokatët e Combs kërkuan një dënim prej 14 muajsh, duke thënë se klienti i tyre është i riedukuar pasi ka vuajtur 13 muaj në një burg të Nju Jorkut, por prokurorët donin 11 vjet, duke përmendur historinë e tij të dhunës në familje.

Përveç prokurorëve që detajuan abuzimin e Combs, gjykata dëgjoi disa nga fëmijët e Combs, disa prej tyre duke qarë gjatë dëshmive.

Vetë Combs kërkoi falje.

Në fund, gjykatësi Arun Subramanian tha se një dënim i konsiderueshëm ishte i nevojshëm si një masë parandaluese dhe për të dërguar një mesazh.

Para se gjykatësi të jepte dënimin prej 50 muajsh, Combs iu drejtua gjykatës, që ishin  fjalët e tij të para publike që nga fillimi i gjyqit.

Combs u kërkoi falje viktimave të tij, duke përmendur konkretisht dy ish-të dashurat e tij, Casandra Ventura dhe “Jane”, të cilat dëshmuan me pseudonim.

“Veprimet e mia ishin të neveritshme, të turpshme dhe të sëmura. U përhumba në tepri, u përhumba në egon time”, tha ai.

Ai u kërkoi falje edhe nënës dhe fëmijëve të tij.

“Më vjen shumë keq. Ata meritonin më mirë”, tha ai, duke iu referuar shtatë fëmijëve të tij, shumica e të cilëve ishin në sallën e gjyqit.

Pastaj ai iu lut gjyqtarit për një shans të dytë duke thënë se nuk do ta rrezikonte më kurrë kohën me familjen e tij.

“Kërkoj mëshirë. Lutem për mëshirë”, tha Combs.

“Nuk kam askënd për të fajësuar përveç vetes. E di që e kam mësuar mësimin tim”, shtoi ai.

Në gjyqin federal gati dymujor në Nju Jork, prokurorët akuzuan Combs për përdorimin e statusit të tij të famshëm dhe perandorisë së biznesit për të drejtuar një sipërmarrje kriminale dhe për të trafikuar seksualisht ish-të dashurat e tij.

Prokurorët argumentuan se Combs trafikonte gra përmes takimeve, ku ai paguante eskorta meshkuj për të bërë seks me të dashurat e tij ndërsa shikonte dhe filmonte.

Qeveria argumentoi se Combs i detyronte gratë në takime seksuale të padëshiruara me drogë dhe dhunë fizike./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›