Magjia e Karnavaleve/ Korça në festë, ngjyrat dhe aktivitetet pushtojnë qytetin

Karnavalet kthyen çdo rrugë dhe shesh të Korçës në skenën nga ku shpërthyen ngjyrat, ritmet dhe fabulat të cilat shpërfaqën traditat shekullore. 22 grupe artistike vendase dhe 6 grupe nga Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Polonia u bënë pjesë e tyre.
Paradës iu bashkuan banorë të qytetit dhe vizitorë të fundjavës. Nga personazhet e mitologjisë, heronjtë e historisë, simbole teatrale dhe deri tek fabula stigmatizuese të fenomeneve aktualë, çdo hap i paradës, ishte një histori plot mbresa dhe emocione.
Artistët nga Bullgaria dhe Greqia sollën në Festival fabula interesante nga tradita e vendeve të tyre
“Ne vijmë nga Bullgaria. Ky është grupi ynë që përfaqëson një dasmë tradicionale bullgare. Me veshjet tona, ne trembim shpirtrat e këqij dhe bëjmë që të dukemi të frikshëm, që ti largojmë ata. Është hera jonë e parë këtu, është me të vërtetë shumë bukur.”
“Ne vijmë nga Greqia dhe jemi ëngjëj të Parajsës. Jemi shumë të lumtura që po përfaqësojmë shtetin tonë. Është hera jonë e parë këtu. Është e mrekullueshme. Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm, na pëlqen shumë qyteti. Faleminderit shumë që na mirëpritët.”
Atmosfera e veçantë zgjati deri në mesnatë. Festivali i Karnavaleve u mbyll me “Carnaval Party” në “Pazarin e Vjetër”./abcnews.al