E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mahmood: Do të transferohem në Spanjë, këtu ndihem i përndjekur

MILANO, 14 mars, ATSH/ Këngëtari italian Mahmood ka bërë të ditur se po mendon të transferohet në Spanjë për të gjetur më shumë qetësi dhe privatësi larg presionit që i ka sjellë fama.

Në një intervistë për revistën Butt, artisti tregoi se suksesi i madh që ka arritur vitet e fundit i ka ndryshuar ndjeshëm jetën, por jo gjithmonë në mënyrën që e kishte imagjinuar. Sipas tij, vëmendja e vazhdueshme dhe mungesa e privatësisë janë bërë të vështira për t’u përballuar.

“Do të transferohem në Spanjë. Kam nevojë të kaloj më shumë kohë duke ecur në rrugë dhe duke menduar për dramat e mia, pa u ndjerë i përndjekur”, u shpreh ai.

Mahmood theksoi se një nga problemet kryesore është fakti që shpesh njerëzit e filmojnë edhe në momentet më private. “Nuk më pëlqen kur njerëzit më xhirojnë ndërsa kërcej. Ndoshta jam i dehur. Nuk dua të dukem keq para kamerës”, tha ai.

Këngëtari shtoi se shpesh ndihet “si një tigër i bardhë në një kopsht zoologjik”, duke iu referuar ndjenjës së të qenit vazhdimisht nën vëzhgim për shkak të popullaritetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›