E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Borxhi Publik u ul në 53,04% të PBB në fund të vitit 2025

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot gjatë fjalës së tij në Kuvend se, Borxhi Publik vijoi tendencën rënëse duke u ulur në 53,04% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit 2025.

“Të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se Borxhi Publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto vijoi tendencën rënëse duke u ulur në 53,04% e PBB në fund të vitit 2025, nga 54,21% e PBB që ishte në fund të vitit 2024, pra me një ulje me rreth 1,2 pikë përqindje”, tha Malaj.

Ministri theksoi se, “gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka ulur ndjeshëm borxhin publik me rreth 21 pikë përqindje, një shifër kjo ndjeshëm më e lartë në krahasim me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën”.

Në fund të dhjetorit 2025, shtoi Malaj, “borxhi i brendshëm përfaqësoi 59,4% të stokut të borxhit të Qeverisë qendrore, ndërsa borxhi i jashtëm përbën 40,6% të tij”.

Sa i takon kostos mesatare të borxhit të brendshëm, Malaj u shpreh se, “gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 yield-i mesatar i ponderuar i letrave me vlerë të Qeverisë pësoi ulje, duke arritur në 4,23%, kundrejt 4,56% në fund të vitit 2024”.

Gjithashtu, vijoi ai, “edhe kostoja mesatare e borxhit të jashtëm për vitin 2025 pësoi ulje, duke arritur në 3,53%, nga 3,70% që ishte në 2024-ën”.

Malaj u shpreh se edhe treguesit e riskut janë përmirësuar.

“Jetëgjatësia mesatare u rrit në 2,8 vite (ose 1001 ditë) në fund të vitit 2025, krahasuar me 2,6 vite (ose 923 ditë) në fund të 2024. Pesha e Borxhit në valutë të huaj u ul në 40%, krahasuar me rreth 42% që ishte në fund të vitit 2024”, tha Malaj.

Ministri theksoi se këta janë tregues të rëndësishëm, që tregojnë ndër të tjera edhe për momentet që po kalon ekonomia shqiptare dhe qëndrueshmërinë e saj edhe në periudhë afatmesme.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›