E Enjte, 5 Nëntor 2026

Malaj: Buxheti për Bujqësinë nga 34 milionë euro në 2013-ën, sot 146 milionë euro

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi sot se “në vitin 2013 investoheshin 24 milionë euro në sektorin e bujqësisë, ndërsa sot investohen 146 milionë euro. Kemi një rritje me 323%”.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet projektbuxheti 2025, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të opozitës, Xhelal Mziu, për TVSH për fermerët, ministri Malaj tha se “në rast se do t’i referohemi shpenzimeve totale buxhetore për sektorin e bujqësisë në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore jemi më lart sesa vendet e rajonit, më lart se Mali i Zi dhe më lart se Bosnja-Hercegovina. Në këtë kontekst besoj që vëmendja e qeverisë është e plotë në këtë sektor”.

“Në lidhje me skemën e TVSH se ku duhet të aplikohet TVSH dhe ku jo, besoj se ju, deputeti Mziu, keni qenë pjesë e këtij parlamenti kur keni bërë ndryshimet përkatëse dhe kur ishte zero TVSH për fermerët dhe kur ishte 20% dhe kur u ul në 6% e kështu me radhë nëse keni një propozim konkret, i cili do të duhet të ndihmojë më mirë sektorin në fjalë mund të na i prezantoni që të bëjmë një vlerësim dhe të kemi një skemë finale që i shërben fermerëve në mënyrë më të mirë të mundshme”, theksoi Malaj.

Duke iu përgjigjur edhe interesimit të deputetit të PD-së Andrea Mano për investimet në bujqësi, Malaj tha se “kemi një rritje të financimit të sektorit të bujqësisë me 9.9 miliardë lekë më shumë se para 10 vitesh. Kemi një rrije të skemës së kompensimit të fermerëve dhe subvencionimit të naftës me 3.4 miliardë lekë, e cila në vitin 2027 do të shkojë në 5 miliardë”.

Ministri Malaj u shpreh se “po investojmë 1.9 miliardë lekë në infrastrukturën e ujitjes e kullimit dhe kjo është e përfshirë në buxhetin 2025. Kemi gjithashtu edhe mbështetje në sektorë të tjerë sa i përket 9 nënsektorëve të bujqësisë”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›