Malaj: Ekonomia në rritje, 133 miliardë lekë më shumë qarkullim i deklaruar. Tregtia, ndërtimi dhe shërbimet me rritje në 4-mujorin e parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë publike të dhëna mbi ecurinë e treguesve fiskalë dhe ekonomikë gjatë një konference për mediat, ku ka theksuar rritjen e të ardhurave, përmirësimin e administrimit fiskal dhe nivelin gjithnjë e më të lartë të formalizimit të ekonomisë.
Malaj u shpreh se “qarkullimi i deklaruar i bizneseve për 4 muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ka shënuar një rritje dyshifrore prej 11%, ose rreth 133 miliardë lekë”, duke e cilësuar këtë si një tregues të rëndësishëm të dinamikës së aktivitetit ekonomik në vend.
Ai shtoi se kjo rritje nuk është e shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme, por mbështetet kryesisht në disa sektorë kyç të ekonomisë shqiptare, të cilët kanë kontribuar në zgjerimin e qarkullimit të deklaruar dhe në rritjen e formalizimit të aktivitetit biznesor.
Sipas ministrit, “sektori i shërbimeve ka shënuar rritjen më të lartë me 24.5%, duke reflektuar një zgjerim të aktivitetit ekonomik në fusha të lidhura ngushtë me turizmin dhe shërbimet mbështetëse”, duke nënvizuar kështu rolin gjithnjë e më të madh të këtij sektori në strukturën ekonomike të vendit.
Në vijim, Malaj theksoi se edhe sektori i ndërtimit ka kontribuar ndjeshëm në këtë rritje, duke deklaruar se “sektori i ndërtimit ka pësuar një rritje prej 13.2%, duke vijuar të mbetet një nga shtyllat kryesore të aktivitetit ekonomik dhe investimeve në vend”.
Ndërkohë, ai shtoi se “sektori i tregtisë ka shënuar një rritje prej 10.4%, duke reflektuar stabilitetin dhe zgjerimin gradual të konsumit dhe qarkullimit të mallrave në ekonomi”.
“Rritje e mbështetur nga 3 sektorë, kryesisht nga sektori i shërbimeve që ka shënuar rritje me 24.5%, që tregon zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të lidhur me turizmin. Rritja pasohet edhe nga sektori i ndërtimit që ka pësuar rritje me 13.2%, e pasuar nga sektori i tregtisë me rritje 10.4%“, u shpreh Malaj.
Malaj theksoi se këto tregues janë dëshmi e përmirësimit të administrimit fiskal, rritjes së të ardhurave dhe forcimit të formalizimit të ekonomisë, duke sinjalizuar sipas tij një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm të zhvillimeve ekonomike gjatë periudhës së parë të vitit 2026.
Malaj bëri me dije se të ardhurat totale buxhetore deri në fund të muajit prill kanë arritur në masën 275.8 miliardë lekë, duke pësuar kështu një rritje dyshifrore prej 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
“Të ardhurat totale buxhetore në fund të muajit prill arritën në masën 275.8 mld lekë. Të ardhurat rritje dyshifrore prej 11.7% krahasuar me vitin e mëparshëm. 302 mln euro më shumë të ardhura në total nga buxheti se gjatë 2025-ës”, deklaroi ministri.
Ky i fundit sqaroi më tej edhe të ardhurat nga performanca e tatimeve dhe doganave, duke theksuar se për katër muajt e parë të këtij viti janë gjeneruar 172.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.8 mld lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës.
“Performanca e tatimeve dhe doganave për 4 muaj të 2026, 172.7 mld lekë. Rritje me 8.8 mld lekë më shumë. Kjo tregon se bizneset po gjenerojnë aktivitet ekonomik dhe mirëadministrim më të mirë falë implementimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave.
Të ardhurat nga sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, 12.5% më shumë të ardhura të mbledhura se viti i mëparshëm, në total 66.8 mld lekë”, theksoi ministri, duke shtuar se kjo rritje është tregues i zgjerimit të punësimit dhe rritjes së pagave reale në të gjithë sektorët e ekonomisë.
/rtsh.al/