E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat e rajonit drejt procedurave plotësisht elektronike dhe zhdoganimit më të shpejtë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Administrata Doganore mori pjesë në takimin e 31-të të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, që u mbajt në Sarajevë, ku vendet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për përshpejtimin e modernizimit doganor dhe transformimit digjital në rajon.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur në zbatimin e Konventës së Rishikuar PEM, si dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për zhvillimin e certifikatave elektronike të origjinës (e-PoC), avancimin e programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) dhe zbatimin e projektit CEFTA SEED+, i cili synon forcimin e shkëmbimit të të dhënave dhe bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore të rajonit.

Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu procedurat plotësisht elektronike, përpunimi i të dhënave para mbërritjes së mallrave, menaxhimi i riskut dhe masat për reduktimin e kohës së zhdoganimit, me qëllim krijimin e proceseve më të shpejta, më transparente dhe më efikase për komunitetin e biznesit.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e transformimit digjital dhe harmonizimit të procedurave doganore, si elemente kyçe për lehtësimin e tregtisë rajonale dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike.

Dogana ritheksoi angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian në fushën e doganave, me fokus lehtësimin e tregtisë dhe garantimin e sigurisë së zinxhirit të furnizimit.

1 nga 3

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›