E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Malaj: Garantojmë uljen e çmimeve, monitorim i plotë për të mos lejuar spekulimet me ushqimet

Pikëpyetja e madhe nëse çmimet e ushqimeve do të bien në fillim të vitit të ardhshëm, për shkak të uljes së TVSH-së nga 20% në 6% për produktet e shportës, duket se po merr një përgjigje më të qartë nga qeveria.

Ajo garanton qytetarët se do të ketë një proces monitorimi, që nga hyrja e mallit në doganë e deri te konsumatori final, ku do të mbikëqyret çdo veprim për të garantuar reflektimin e uljes së taksës në çmime, në mënyrë që familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kenë më shumë lehtësi.

“Për sa i përket reflektimit te çmimet, po punohet nga ana e qeverisë për monitorimin, në mënyrë që të ketë një reflektim të plotë. Janë disa mekanizma që janë duke u shqyrtuar. Është edhe diçka tjetër për të cilën po punojmë: monitorimi që nga pjesa e blerjes në doganë të mallit të importuar deri te konsumatori final, në mënyrë që të mos ketë abuzime”, tha ministry i Financave, Petrit Malaj.

Nga ana tjetër, opozita e sheh me shqetësim rritjen e tatimit mbi dividentin, apo siç njihet ndryshe, fitimin që bizneset shpërndajnë në fund të vitit. Ky tatim pritet që nga 1 janari të rritet nga 8% në 15%, çka, sipas deputetëve të opozitës, do të nxisë informalitetin.

Reklamë

“Rritja e TVSH-së për bizneset ka për t’i vrarë ato dhe ka për të rritur nivelin e informalitetit, siç e kemi parë edhe herë të kaluara. Nuk e di se si thoni se po ndiqni propozimet e FMN-së dhe bëni diçka që nuk ka lidhje me propozimet e tyre”, tha deputeti demokrat Eno Bozdo.

Por, për kreun e Financave, kjo rritje e nivelit të taksimit është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.

“Kjo paketë fiskale synon një rishpërndarje të të ardhurave të kërkuara, duke mbështetur familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe duke tatuar bizneset me norma dhe nivele që aplikohen në Ballkanin Perëndimor apo në vendet fqinje. Niveli i TVSH-së 21% është i njëjtë me Malin e Zi, ndërsa Italia e ka edhe më të lartë, në 22%”, theksoi Malaj.

Sipas paketës së re fiskale, qeveria parashikon që humbjet nga ulja e TVSH për produktet e shportës të kompensohen nga të ardhurat prej bizneseve. Në këtë mënyrë, synohet që rritja e të ardhurave të jetë në nivele të qëndrueshme, pa dëmtuar buxhetin e shtetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›