Të dënuar për vrasje, drogë dhe vjedhje, arrestohen 3 persona të shpallur në kërkim në Vlorë

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar 3 operacione policore, si rezultat i të cilave janë kapur dhe ndaluar 3 shtetas.
-Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit në kërkim Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili u lokalizua në lagjen “Pavarësia 3”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe e ka dënuar këtë shtetas, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vitin 2000, në Ravena, Itali, 47-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar.
-Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Vlorë, finalizoi operacionin për kapjen dhe ndalimin e shtetasit Y. D., 49 vjeç, banues në Bishan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, më datë 31.10.2026, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 12 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 6 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Reklamë
-Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Vlorë finalizoi operacionin për kapjen e shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve tetor dhe nëntor, 2026, në qytetin e Vlorës, ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celular në subjekte/shtetasve të ndryshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.