E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Kredi të butë për SME-të, 30 milionë euro garanci sovrane për bizneset

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare dhe do të jenë në fokus të një pakete të re financimi nga qeveria.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit sot në Tiranë të partneritetit të ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Malaj tha se, “kjo nismë që po ndërmerr qeveria mbështet SME, që përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare përsa i përket punësimit, ashtu edhe për vlerën e shtuar që ato sjellin”.

Ministri theksoi se, nëpërmjet nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria synon të rrisë aksesin në financë për SME-të në sektorë që janë të nënfinancuar, duke i mbështetur në rritjen e kapaciteteve teknologjike, në digjitalizim apo në pjesën e eficiencës së energjisë.

Kjo mbështetje, tha Malaj, synon të sjellë rritje të konkurrueshmërisë së SME-ve dhe rritje të produktivitetit të tyre, që rrjedhimisht do të sjellë përshpejtim të rritjes ekonomike dhe përafrim më të shpejtë me standardet e Bashkimit Europian.

Ministri informoi se nisma do të mbështetet fillimisht me linjën e kredisë të çelur tashmë nga Banka e Shqipërisë në vlerën 250 milionë euro, e cila do të ofrohet me norma të ulëta interesi, ndërsa do të shoqërohet paralelisht edhe me garancinë sovrane prej 30 milionë eurosh që tashmë është çelur, e cila përveç sektorit bujqësor do të zgjerohet edhe për të mbështetur SME-të.

“Garancia sovrane do të rritet, pra nga vlera e 30 milionë që kemi aktualisht do të rritet gradualisht, bazuar në kërkesat që do të na vijnë nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por natyrisht duke mbajtur parasysh edhe mundësitë që ka buxheti i shtetit”, u shpreh Malaj.

Ministri Malaj theksoi se qeveria mbetet e angazhuar që të mbështesë sipërmarrjen dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, për të rritur kapacitetet e tyre teknologjike dhe njerërore, në mënyrë SME-të të rrisin konkurrueshmërinë e tyre dhe të përgatiten për të hyrë në tregun e Bashkimit Europian, ku mundësitë janë të mëdha, por gjithashtu edhe konkurrenca.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes shtetit, bankave dhe biznesit në kuadër të programit “Dyfisho Biznesin”- Foto: Florian Abazaj

1 nga 10

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›