E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Pagat e magjistratëve përcaktohen përmes ligjit, Thesari kontrollon dhe ekzekuton

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Çështja e pagave të magjistratëve, përtej dimensionit financiar, ka ngritur një diskutim më të gjerë mbi parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, rolin e institucioneve dhe raportin mes pavarësisë së gjyqësorit dhe kompetencave të Kuvendit e qeverisë në administrimin e financave publike.

Duke folur sot në Kuvend, ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor është një e drejtë themelore dhe nuk vihet në diskutim, ndërsa shtoi se rolet dhe kompetencat e secilit pushtet janë përcaktuar nga Kushtetuta.

Malaj u ndal te mënyra se si funksionon Buxheti dhe Thesari i Shtetit, duke theksuar se Ministria e Financave e bazon hartimin dhe zbatimin e Buxhetit vetëm mbi bazën e ligjit.

“Buxheti preket vetëm me ligj”, tha Malaj, duke iu referuar neneve 157 deri në 160 të Kushtetutës dhe dispozitave të ligjit organik të buxhetit.

Sipas ministrit, Thesari i Shtetit nuk përcakton pagat, por kontrollon dhe ekzekuton pagesat e paraqitura nga institucionet, pasi verifikon nëse ato janë në përputhje me bazën ligjore dhe fondet e miratuara.

“Thesari kontrollon dhe ekzekuton pagat që institucionet paraqesin, pasi verifikon nëse ato janë në përputhje me ligjin, por edhe me fondet e miratuara”, deklaroi Malaj.

Ai shpjegoi se procesi nis me institucionin shtetëror, i cili paraqet pranë Thesarit kërkesën për pagesë. Më pas, strukturat përkatëse kryejnë verifikimet ligjore dhe buxhetore përpara ekzekutimit të pagesës.

Ministri theksoi se përcaktimi i fondeve buxhetore, përfshirë fondet për magjistratët, si dhe autorizimi i tyre, janë pjesë e procesit ligjvënës dhe kompetencë e Kuvendit.

Malaj e cilësoi situatën aktuale si një rast atipik, të lidhur sipas tij me vullnetin politik të mazhorancës dhe me reformën në drejtësi.

Në këtë kuadër, ai u shpreh se diskutimi mbi pagat e magjistratëve duhet parë edhe në raport me funksionimin e mekanizmave të Buxhetit dhe Thesarit, si dhe me përgjegjësitë kushtetuese të institucioneve.

Malaj gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se se një prokuror rrethi dërgoi oficerin e policisë gjyqësore në degën e Thesarit (ku janë bllokuar pagat e magjistratëve) dhe u tha punonjësve “ose ekzekutoni pagesat, ose do ju arrestojmë”.

“Një prokuror rrethi dërgoi OPGJ në degën e Thesarit dhe iu tha punonjësve: ose ekzekutoni pagesën, ose do t’ju arrestojmë. Ku ndodh kjo? Kjo nuk është matje muskush. Mund të më thoni, ku është shkelja që ka bërë punonjësi i Thesarit apo ministri i Financave? Është bërë kallëzim për këtë çështje. Thesari verifikon a ka bazë ligjore, nëse gjithçka është e rregullt pagesa normalisht kalon. Ky mekanizëm mbron paratë publike”, tha mes të tjerash ministri Malaj në Kuvend.

Malaj, deklaroi se pagat e magjistratëve përcaktohen përmes ligjit, ndërsa Thesari kontrollon dhe ekzekuton pagesat e paraqitura nga institucionet.

“Pavarësia e gjyqësorit nuk vihet në diskutim. Politikat e shpenzimeve publike, përfshirë pagat e gjyqtarëve, janë kompetencë e Kuvendit”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, Thesari verifikon përputhjen e pagesave me bazën ligjore dhe fondet e miratuara, duke mos përcaktuar vetë nivelet e pagave.

Duke iu referuar padisë së gjyqtarëve ndaj punonjësve të Thesarit dhe Ministrit të Financave, Malaj pyeti se ku qëndron shkelja ligjore nëse procedurat janë zbatuar sipas ligjit.

“Është Kuvendi ai që duhet të bëjë një projektligj dhe të përcaktojë nivelet e pagave. Pastaj ligji ekzekutohet nga institucionet, Ministria e Financave dhe më pas Thesari”, tha ai.

Malaj theksoi se mbështetja për sistemin e drejtësisë do të vijojë, por brenda kuadrit ligjor dhe me përdorim të përgjegjshëm të fondeve publike.

“Pavarësia e gjyqësorit nuk vihet në diskutim dhe e ka përcaktuar qartësisht Kushtetuta. Politikat e shpenzimeve publike, përfshirë edhe pagat e gjyqtarëve, janë kompetencë e Kuvendit. Ministria e Financave e zbaton punën e saj për hartimin dhe zbatimin e buxhetit mbi bazën e ligjit. Buxheti preket vetëm me ligj”, u shpreh Malaj.

“Thesari kontrollon dhe ekzekuton pagesat që institucionet paraqesin, pasi ato janë në përputhje me ligjin. Nëse gjithçka është në rregull, pagesa ekzekutohet. Por nëse ka mospërputhje apo një rritje që nuk është reflektuar në procedurat përkatëse, atëherë jepet sinjali që kjo pagesë të mos kryhet pa bazën ligjore. Kjo është logjika e Thesarit. Ky është një mekanizëm që mbron paratë publike. Angazhimi ynë i përditshëm është të garantojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe këtë nuk e zbatojmë me gjuhën e kërcënimeve të prangave. Kjo nuk është një përplasje muskujsh mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë”, deklaroi ministri.

“Angazhimi ynë i përditshëm është të garantojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe këtë nuk e zbaton me gjuhen e kërcënimeve të prangave. Ku ndodh kjo? Ku është shkelja që ka bërë Thesari apo Ministri i Financave? Ku është shkelja kur buxheti mund të preket vetëm me ligj?”, u shpreh Malaj.

Në fund, ministri nënvizoi se reforma në drejtësi ka qenë një prioritet i qeverisë, duke theksuar se mbështetja për sistemin do të vijojë, por brenda kuadrit ligjor.

“Sistemi i drejtësisë ka qenë një prioritet absolut i qeverisë Rama dhe mbetet një vullnet i plotë i kësaj mazhorance për mbështetjen pa kushte të suksesit të tij, por pa shkelur ligjin. Askush nuk mund të marrë sot vendime për paratë e qytetarëve përmes presionit apo duke anashkaluar ligjin. Ligji duhet respektuar dhe institucionet duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Paratë publike duhen përdorur me transparencë, përgjegjësi dhe në interes të të gjithë qytetarëve”, përfundoi ministri.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›