Malaj: Rritje me mbi 13 miliardë lekë e të ardhurave në dy muajt e parë të 2026-ës

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për media, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja.
Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi performancës së dy muajve të parë të vitit 2026, duke vënë theksin në rritjen e të ardhurave, përmirësimin e shërbimeve digjitale dhe zhvillimin e sistemeve përmes inteligjencës artificiale, si objektiva strategjikë drejt arritjes së standardeve në rrugën e integrimit europian të vendit.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë të re zhvillimi, ku financat publike nuk janë më vetëm një instrument administrimi, por një motor i drejtpërdrejtë i rritjes ekonomike. Malaj nënvizoi se sistemi fiskal aktual mbështet zhvillimin, lufton informalitetin dhe po përafrohet në mënyrë të qëndrueshme me standardet e Bashkimit Europian.
Ministri u shpreh se të ardhurat buxhetore kanë arritur nivele rekord, si rezultat i reformave strukturore, përmirësimit të administrimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit fiskal, ndërsa informoi se janë mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë të cilat planifikohen të mblidhen në buxhetin e shtetit përgjatë periudhës 2025-206. Këto të ardhura shtesë, tha Malaj, përkthehen në më shumë investime, më shumë shkolla, më shumë spitale dhe më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë. “Kjo rritje në të ardhurat e buxhetit të shtetit është një rritje që nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, nuk vjen si rezultat i rritjes së barrës për qytetarët shqiptarë, por vjen si rezultat i forcimit të miradministrimi tatimor dhe doganor”, u shpreh Malaj.
Për periudhën janar-shkurt 2026, të ardhurat totale arritën në 130,3 miliardë lekë, me një rritje prej 11,5%, ose 13,4 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Ministrit, kjo ecuri konfirmon formalizimin në rritje të ekonomisë dhe një performancë pozitive që pritet të vijojë gjatë vitit.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj vuri në dukje progresin në kuadër të Planit të Rritjes dhe angazhimeve me Bashkimin Europian, përfshirë luftën kundër mashtrimit tatimor, reduktimin e parasë cash, rritjen e efikasitetit të kontrolleve dhe përshpejtimin e rimbursimit të TVSH-së.
Po ashtu, digjitalizimi mbetet një nga prioritetet kryesore, ku pjesa më e madhe e shërbimeve tatimore dhe doganore ofrohen tashmë online, duke kursyer kohë për qytetarët dhe bizneset dhe duke rritur transparencën.
Në përfundim, ministri Malaj theksoi se viti 2026 do të jetë vit i rëndësishëm për përafrimin e legjislacionit fiskal dhe doganor me standardet e Bashkimit Europian, zhvillimin e sistemeve teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë.
/a.f/r.e/