E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Kontroll sektorit mjekësor dhe i atij të kujdesit estetik

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot se hapi i radhës i administratës tatimore do të jetë edhe kontrolli i sektorit mjekësor dhe i atij të kujdesit personal/estetik.

Gjatë një konference për shtyp, Malaj u shpreh se ky është një sektor i identifikuar me risk të lartë dhe do të jetë objekt i punës së Administratës Tatimore në muajt në vijim.

Ndërkohë, Malaj theksoi se ka vijuar puna për sa i përket formalizimit të sektorëve të tjerë me risk.

“Ka qenë sektori i turizimit, sektori i ndërtimit, por edhe sektori i hidrokarbureve. Këto nisma kanë dhënë rezultate konkrete. Pra, ndërgjegjësimi i operatorëve që operojnë në këta sektorë dhe monitorimi në distancë, si edhe kontrollet në vend, kanë dhënë rezultate të prekshme”, tha ministri.

Sipas tij, si rezultat i qasjes së administratës tatimore ka një rritje të ndjeshme për sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale të paguar apo të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Gjithashtu, Malaj theksoi se ka ulje të ndjeshme edhe në fenomenin e deklarimit të pagave minimale në këta sektorë që në fakt reflekton edhe një realitet më të drejtë për sa i përket tregut të punës.

Në konferencën e sotme për shtyp u bë prezantimi i performancës së dy muajve të parë të vitit 2026, duke vënë theksin në rritjen e të ardhurave, përmirësimin e shërbimeve digjitale dhe zhvillimin e sistemeve përmes Inteligjencës Artificiale, si objektiva strategjikë drejt arritjes së standardeve në rrugën e integrimit europian të vendit.

Në këtë kuadër, Malaj nënvizoi se sistemi fiskal aktual mbështet zhvillimin, lufton informalitetin dhe po përafrohet në mënyrë të qëndrueshme me standardet e Bashkimit Europian.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›