E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallakastër, 48-vjeçari bie aksidentalisht në humnerë, shpëtohet nga Policia dhe zjarrfikësit

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Një 48-vjeçar është shpëtuar pas më shumë se tetë orësh qëndrimi i bllokuar në një humnerë në fshatin Kapaj të Mallakastrës.

Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet F. S. kishte rënë aksidentalisht në humnerë teksa po tentonte të rregullonte tubin vaditës të ujit.

Pas njoftimit të marrë nga familjarët, shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses organizuan menjëherë operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e 48-vjeçarit.

Pas ndërhyrjes së përbashkët, efektivët arritën ta nxirrnin nga humnera, ku kishte qëndruar i bllokuar për më shumë se tetë orë.

48-vjeçari kishte pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia e Shtetit theksoi se strukturat e saj vijojnë të jenë në gatishmëri dhe në shërbim të qytetarëve, duke ndërhyrë në situatat ku kërkohet ndihma e tyre.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›