Manaj nënshkruan deri në vitin 2029 me Sivasspor

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Rey Manaj do të vijojë karrierën e tij te Sivasspor në Turqi.
Bomberi kuqezi firmosi të martën marrëveshjen që e lidh me klubin e Ligës së parë turke. Kontrata e nënshkruar sot ka një kohëzgjatje prej tre vitesh e gjysmë dhe do të jetë e vlefshme deri në qershor 2029.
Nënshkrimi i marrëveshjes u shoqërua me një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Qendrës Sportive “Vali Lütfullah Bilgin”, ku të pranishëm, përveç presidentit të klubit Burak Özçoban, ishin edhe anëtarë të Këshillit Administrativ të Sivassporit.
Në këtë mënyrë, për Manajn nis zyrtarisht etapa e dytë si futbollist i kësaj skuadre. Në eksperiencën e tij të parë me Sivassporin, sulmuesi shqiptar u paraqit mjaft mirë, duke shënuar 34 gola dhe duke dhënë 7 asistime në 63 ndeshje zyrtare.
I lindur më 24 shkurt 1997 në Lushnjë, Rey Manaj e ka nisur karrierën futbollistike në akademinë e klubit italian Inter. Gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Piacenza, Cremonese, Sampdoria, Inter, Pescara, Pisa, Granada, Albacete, Barcelona B, Barcelona, Spezia, Watford, Sivasspor, si dhe të klubit Sharjah FC nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
View this post on Instagram
/r.e/