Shembja e gurëve në Dragostunjë, policia: Aksi Librazhd-Korçë do të bllokohet gjatë natës

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Policia e Elbasanit njoftoi sot se për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor Librazhd-Korçë, në fshatin Dragostunjë, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor, nga data 03.02.2026 deri më datë 05.02.2026, gjatë intervaleve kohore 22:00 – 05:00.
Sipas policisë gjatë këtyre intervaleve kohore, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për mjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë.
“Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për informimin e drejtuesve të këtyre mjeteve, për bllokimin e përkohshëm të qarkullimit”, njoftoi policia.
Policia bëri të ditur se gjatë kohës së bllokimit të lëvizjes do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë
Si alternativë kalimi për mjetet e vogla do të shërbejë aksi Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren, për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për mirëkuptim nga ana e drejtuesve të mjeteve, respektimin e sinjalistikës dhe të udhëzimeve të shërbimeve të Policisë, si dhe për shmangien e lëvizjeve të panevojshme gjatë intervaleve kohore të bllokimit.
/m.q/a.f/r.e/