Manastirliu: Ekselencë në kërkimin shkencor dhe në shërbimet klinike ndaj qytetarëve

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se,
“marrëveshja ndërmjet QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë, me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita – Salute San Raffaele”, shënon një gur themeli në ofrimin e shërbimit shëndetësor shqiptar cilësor, bazuar në kërkimin shkencor”.
E pranishme në takimin që u zhvillua sot, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrja Manastirliu tha se, “sot procesi i ndërkombëtarizimit të universiteteve tona me universitetet më të mira europiane dhe më gjerë, shënon një gur kilometrik në të gjithë reformën e Arsimit të Lartë”.
Sipas saj, në këto vite Universiteti i Mjekësisë i Tiranës ka përfituar rreth 30 projekte të kërkimit shkencor, me synimin për rritjen e shërbimit shëndetësor sipas standardeve më të mira.
“Përmes këtij partneriteti të ri, ne do të kemi ekselencë në programet akademike, kërkimin shkencor dhe mbi të gjitha në shërbimet klinike ndaj qytetarëve”.
Manastirliu u ndal në hapat që janë hedhur sa i takon ndërkombëtarizimit të universiteteve.
“Jo vetëm falë marrëveshjeve mes universiteteve tona dhe atyre të huaja, por edhe ngritjen e kampuseve të universiteteve europiane në Shqipëri, po vijojmë të zgjerojmë bazën e Arsimit të Lartë, duke rritur interesin jo vetëm të studentëve tanë, por edhe të studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri, në universitete që kanë partneritete, ofrojnë programe të përbashkëta studimi dhe diploma dyfishe dhe tashmë edhe me kampuse të universiteteve europiane, siç është ai i Kolegjit të Europës në Tiranë, kampusi i Universitetit të Studimeve në Distancë të Spanjës dhe po punojmë të hapim kampusin e tretë të Universitetit Teknologjik të Compiègne-it në Universitetin Politeknik të Tiranës”, deklaroi Manastirliu.
Nga ana tjetër, vijoi ministrja, marrëveshje shumë të rëndësishme kemi lidhur për të arritur ekselencën në arsimin e lartë mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës.
“Një proces i transformimit radikal të programeve të studimit po ndodh aty dhe deri në 2030 ne do të kemi diploma të përbashkëta UBT-BOKU, të cilat do të mundësojnë që të gjitha programet e studimit të jenë tërheqëse jo vetëm për studentët vendas, por edhe për ata të huaj, duke qenë se do të jenë të gjitha programet në gjuhë të huaj përpos dhe standardit të programeve që do të jenë të njësuara me ato të Universitetit BOKU të Vjenës”, u shpreh Manastirliu.
Lidhur me rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar për fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, ajo theksoi se, “kjo marrëveshje do të ofrojë një konsulencë strategjike për programet e Universitetit të Mjekësisë, do të ofrojë trajnime të përbashkëta mes stafeve tona akademike dhe mbi të gjitha do të mundësojë një lidhje më integrale mes qendrave të kërkimit shkencor që menjëherë duhet që të përthithen nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’”.
“Jam e kënaqur që kemi mbërritur në një tjetër stacion në këtë rrugëtim drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, por gjithashtu dhe të një tjetër arritje që do të synojë rritjen e nivelit të shërbimeve klinike dhe shërbimeve shëndetësore në vend”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se “me mbështetjen e MAS dhe përmes fondeve të Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, ne synojmë atë që është prioritet për ne që është ekselenca, dhe jam e bindur që përmes këtij partneriteti ne do të kemi ekselencë në programet akademike, ekselencë në kërkimin shkencor dhe mbi të gjitha ekselencë në shërbimet klinike ndaj qytetarëve”.
Marrëveshja pritet të japë një impuls të ri në cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri, duke ndikuar pozitivisht edhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
/r.e/a.f/