Manastirliu: Mbi 27 mijë nxënës të klasave të pesta në testin kombëtar VANAF

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Mbi 27 mijë nxënës të klasave të pesta në të gjithë vendin kryejnë sot testimin kombëtar të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor (VANAF).
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu i uroi sot suksese nxënësve të klasave të pesta në të gjitha shkollat e vendit.
“Suksese mbi 27 mijë nxënësve të klasave të pesta në të gjithë vendin, që kryejnë sot testimin kombëtar VANAF, për matjen e arritjeve në arsimin fillor në lëndët Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Dituri natyre”, shkruan Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Vlerësimi i Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor (VANAF) është një testim kombëtar që mat njohuritë e nxënësve të klasave të pesta në disa disiplina.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, Vlerësimi kombëtar i Arritjeve të Nxënësve të klasës së 5-të të arsimit të detyruar synon të vlerësojë njohuritë dhe kompetencat bazë, të fituara nga nxënësit në ciklin fillor, në lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre.
1 nga 3/k.s/a.f/