Manastirliu: UBT ofron nëntë programe të reja studimi, zgjedhja e parë për maturantët

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një ofertë të re akademike të përafruar me programet e BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences) të Vjenës falë marrëveshjes mes dy universiteteve.
UBT ka nisur tashmë një proces transformues, me standardet më të mira evropiane duke ofruar edhe nëntë programe akademike studimi për të gjithë maturantët që zgjedhin të studiojnë në UBT.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se “Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në zgjedhjen e parë për shumë maturantë që kërkojnë cilësi, perspektivë dhe mundësi konkrete për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale”.
“Me ofertën e re akademike që përfshin 9 programe studimi në bashkëpunim me Universitetin prestigjioz BOKU të Vjenës, UBT u ofron studentëve njohuri bashkëkohore, praktika evropiane dhe një diplomë me vlerë ndërkombëtare, e njohur brenda dhe jashtë vendit”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Manastirliut, “ky model i ri studimi sjell në Shqipëri standardet më të larta të universiteteve prestigjioze evropiane dhe e pozicionon UBT-në si një qendër ekselence në rajon dhe më gjerë, ku arsimi lidhet ngushtë me zhvillimin, inovacionin dhe tregun e punës”.
Në mesazhet e maturantëve që flasin në videon e përcjellë në rrjetet sociale, një prej tyre shprehet se gjatë viteve të studimit në gjimnazin “Ismail Qemali” ka studiuar me përkushtim dhe pasion për të ndërtuar të ardhmen e saj. Ajo thotë se do të vazhdoj studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pasi ky universitet e tërheq jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies, stafin akademik, por edhe për mundësinë që ofron për të rinjtë, siç është diploma që njihet ndërkombëtarisht.
“Universiteti Bujqësor i Tiranës është vendi ku pasioni për natyrën, bujqësinë dhe zhvillimet rurale kthehet në mundësi reale. Sot, sfidat globale si ndryshimet klimatike apo siguria ushqimore na e bëjnë më të domosdoshme shkencën bujqësore”, shprehet një tjetër.
“Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në një kampus të vërtetë studentor në një ambient bashkëkohor me laboratorë modern dhe pjesë që lidhen me tregun e punës. Të gjitha këto e bëjnë këtë Universitet vendin e duhur për të nisur rrugëtimin tim profesional”, tha një tjetër.
Maturantja tjetër shprehet se pas marrëveshjes së UBT-së me universitetin BOKU të Vjenës, do të jetë një mundësi për diplomë evropiane, duke studiuar në Shqipëri.
“Përmes marrëveshjes me Universitetin Boku në Vjenë, studentët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të përfitojnë nga eksperiencat ndërkombëtare. Ne mund të studiojmë në Boku për disa cikle studimi dhe të na njihen kreditet nga UBT dhe kjo mundësi pozitive vjen vetëm nëse studion në UBT”, u shpreh një maturante tjetër.
/e.i//a.f/