Manastirliu në “Flasim”, Rama: Tirana s’mund të presë më. Kush kritikon dekretin e Begajt, s’ka pavarësinë intelektuale të këshilltarit Ilir Rusmali

Kryeministri Edi Rama ka çelur sezonin e pestë të podkastit të tij “Flasim” me një intervistë me Ogerta Manastirliun, kandidaten e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Në nisje të episodit, Rama komentoi zhvillimet e fundit politike që kanë përfshirë kryeqytetin, lidhur me dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, në një kohë kur Erion Veliaj ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij.
Rama mbrojti vendimin e Presidentit për të dekretuar zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, ndërsa kritikoi ata që e kanë vënë në diskutim legjitimitetin e këtij akti.
“Tirana nuk mund të presë. Ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit, këshilltar juridik i Presidentit dhe ish-ministër i Drejtësisë i PD-së, që për integritet dha dorëheqjen dhe refuzoi të bëhej pjesë e korrupsionit që degjeneroi në një tragjedi. Tirana nuk mund të presë më, kush thotë të kundërta nuk e ka idenë se çfarë duhet që kjo lokomotivë të ecë me ritmin e duhur” deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi shkarkimin e Veliajt si një zhvillim “brutal të drejtësisë” dhe theksoi se Tirana ka mbetur pa kryetar bashkie në një moment kritik për qytetin dhe se kjo nuk mund të zgjasë më shumë.
“Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe mbahet në paraburgim prej muajsh mes një procesi me standarde të dyshimta. Zgjedhjet në Tiranë nuk janë normale, janë të jashtëzakonshme,” u shpreh Rama.
Bashkëbisedimi me Ogerta Manastriliut ka sjellë rrëfimin e saj mbi jetën personale, fillimet në politikë si dhe vizionin për të ardhmen e Tiranës.
Gjatë podkastit, Rama shprehu mbështetjen e plotë për kandidaturën e Manastirliut, duke u shprehur i bindur se ajo do të jetë “kryetarja e re e bashkisë së Tiranës”. Nga ana tjetër, Manastirliu foli për sfidën dhe “barrën mbi supe” që ajo ndjen përballë qytetarëve të Tiranës.
“Është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e përbashkët në atë që secili prej nesh si qytetarë duhet të bëjmë për vendin e tyre. Tirana është sa sfida jonë aq edhe krenaria jonë dhe ia vlen çdo sakrificë që mund të marrë përsipër dhe përgjegjësia që më është ngarkuara për të çuar përpara transformimin e Tiranës. E mbaj mbi supe jo vetëm, e mbaj me ekipin e qeverisë, një ekip që transformon vendin dhe e çon në BE. Unë jam thirrur në detyrë dhe kjo është një mision historik dhe e shoh si një përgjegjësi që varet e ardhmja e qytetit. Për mua nuk ka rëndësi karrigia por kontributi, ku gjithsecili në kohën që i është dhënë të bëjë dhe japë më të mirën e vetes. Suksesi është i skuadrës nuk mund të jetë i njeriut”, tha Manastirliu.
Në një pjesë më personale të intervistës, Manastirliu rrëfeu për fëmijërinë e saj mes korridoreve të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ajo tha se nuk e kishte menduar kurrë se do të përfshihej në politikë, por një telefonatë nga një shoqe për ta ndihmuar në një fushatë të Partisë Socialiste ishte pikënisja e këtij rrugëtimi.
“Kam lindur në Tiranë, në një familje të thjeshtë tiranase, dy prindërit e mi, mamaja valltare në ansamblin e Operës dhe Baletit, babai ushtarak. Fëmijërinë time kujtoj një kohë të madhe e kam shpenzuar në korridoret e Teatrit të Operës dhe Baletit. Kimia ishte një tjetër pasion i fshehtë. E shihja si përbashkimi i dy elementëve, logjikës dhe imagjinatës. Studimet për Kimi më kanë dhënë shumë në raport me aftësitë analitike por dhe për të kuptuar rëndësinë e ekuilibrit. Shumë e rëndësishme të dish të vendosësh balancat e duhura. Më mori një shoqe në telefon dhe më tha për të marrë pjesë në një riorganizim të PS për të bërë një pyetësor për zgjedhjet lokale dhe nëse do të jesh pjesë e këtij grupi që shkojnë në qytet për të mbledhur opinionet e qytetarëve. Pranova. Aty vini ju dhe nis një rrugëtim. Ishte një lloj zgjimi për mua për të parë përtej qendrës së Tiranës”, u shpreh Manastirliu.
/rtsh.al/