Manastirliu takohet me rektorin e Universitetit të Aachenit: Projekte të përbashkëta për teknologji dhe inovacion

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu është takuar këtë të enjte (9 maj) me Rektorin e Universitetit Aachen në Gjermani me të cilin kanë diskutuar për nisjen e bashkëpunimit për zhvillimin e projekteve të përbashkëta studimi në teknologji, inovacion dhe kërkimin shkencor.
Manastirliu thekson se prioritet i ministrisë së ajo drejton është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë.
“Aachen, Gjermani – Kënaqësi të takoja Rektorin e Universitetit RWTH Aachen, Prof. Ulrich Rüdiger, me të cilin diskutuam për nisjen e bashkëpunimit për zhvillimin e projekteve të përbashkëta studimi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe mbështetje për kërkimin shkencor, në bashkëpunim me Universitetet Politeknik dhe të Mjekësisë.
Prioriteti ynë është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë dhe për këtë po ndërtojmë ura bashkëpunimi me universitete prestigjioze europiane për të zhvilluar programe të përbashkëta studimi dhe për të ndërtuar modele të reja të bashkëveprimit për kërkimin shkencor mes industrisë dhe akademisë për zhvillimin e teknologjisë”, shkruan në rrjetin social Facebook ministrja Manastirliu.
/rtsh.al/