E Martë, 3 Nëntor 2026

Mandati i Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese mbyll gjykimin, tërhiqet për vendim

Vendimi i Kuvendit që mban datën 11 prill 2024 rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës që thonë se familjarët e Olta Xhaçkës kanë përfituar në konflikt interesi troje në zona turistike për qëllime përfitimi.

Kjo skemë sipas opozitës është kryer gjatë kohës kur zonja Xhaçka ishte ministre e Jashtme dhe për më tepër tha Gazment Bardhi skenari është bekuar nga kryeministri i vendit.

Këtë vendim të Kuvendit, opozita e dërgoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon hetimin rrënjësor nga gjyqtarët nëse deputetja socialiste është në shkelje të detyrave që i jep ligji.

Gjatë seancës përfundimtare në Kushtetuese, tre palët u përplasën me argumente dhe kundër argumente.

Përfaqësuesi i zonjës Xhaçka tha se nuk ka asnjë fakt që provon akuzat e opozitës, duke u mbështetur edhe nga mbrojtja që bëri përfaqësuesja ligjore e parlamentit. 

Gazment Bardhi i kërkoi gjyqtarëve të jenë në lartësinë e detyrës dhe të mos bëhen vasale të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim përfundimtar, pasi më herët ka njoftuar se për shkak të ndjeshmërisë publike të kësaj çështjeje, do ta gjykojë me përparësi.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›