E Diel, 1 Nëntor 2026

Manja: Komisioni i Ligjeve, detyrim t’i paraqesë Kuvendit listën me kandidatë për Avokatin e Popullit

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi sot se ky komision ka detyrën të përmbyllë procedurën duke nisur në seancë plenare raportin me gjashtë kandidatët që plotësojnë kushtet për të vazhduar garën për pozicionin e Avokatit të Popullit.

Manja iu përgjigj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri i cili theksoi se asnjë prej kandidatëve nuk plotëson kushtet, pasi PD ka tërhequr mbështetjen.

“Sqaroj komisionin se ne jemi përgjegjës për përmbylljen e procedurës sipas rregullores. Njoftimi se ju jeni tërhequr nga firmat nuk është atribut i komisionit. Shkresa i ka vajtur Kryetarit të Kuvendit i cili do ta njoftojë në seancë plenare. Unë kam detyrën të përmbyll procedurën. Pastaj në seancë shkon raporti me 6 kandidatët. Çështja e tërheqjes së vullnetit të secilit prej deputetëve i takon seancës dhe jo këtij komisioni”, sqaroi Manja.

Manja iu përgjigj edhe pretendimit se nuk është zbatuar rregulli që një deputet të mbështesë vetëm një kandidat.

“Në datën 17 nëntor kemi miratuar në këtë komision listën e kandidaturave që plotësojnë kushtet, kriteret ligjore dhe meritën për secilin kandidat dhe ia kemi drejtuar grupeve parlamentare për mbledhjen e firmave. Unë kam orientuar se si rregull një deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat. Por ligji organik i Avokatit të Popullit nuk e përcakton këtë gjë. Ju i jeni referuar strikt ligjit dhe mirë keni bërë, se keni zbatuar drejtpërsëdrejti nenin 9, pika 5 të ligjit ‘Për Avokatin e Popullit’ dhe nenin 111 të Rregullores së Kuvendit”, tha Manja.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›