E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manja: Nuk ka rrethana të reja për arrestimin e Ballukut, nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Relatori i shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Ulsi Manja, prezantoi sot raportin në kuadër të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila kërkon arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Në seancën plenare të sotme, Manja, duke folur për raportin e opozitës të prezantuar nga Oerd Bylykbashi, tha se kjo është kërkesa e shtatë e organit të akuzës që vjen në Kuvend për dhënien e autorizimit për arrestimin e një deputeti, kontrollin personal apo kontrollin e banesës.

Ai theksoi se nuk ka dëgjuar në këtë sallë një raport më të detajuar në analizën e provave, fakteve dhe rrethanave të një kërkese të organit të prokurorisë sesa sot, gjë e cila, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale.

“Deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave, si pasojë e ndryshimeve në qeveri në përputhje me nenet 95 dhe 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për pasojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale”, tha ai.

“Po në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal, si rreziku i prishjes së provave, arratisjes apo kryerjes së një vepre tjetër penale, mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më”, tha Manja.

Manja nënvizoi se kjo nuk do të thotë që paraqitja e këtij raporti përpara Kuvendit është një procedurë thjesht formale.

“Ajo përfaqëson një përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe është një shprehje e respektit institucional ndaj drejtësisë, por mbi të gjitha është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që na kanë besuar përfaqësimin e tyre”, tha ai.

“Aq më tepër në një situatë kur kjo çështje, që duhet të mbetet e drejtësisë, është shndërruar sot në mënyrë të padrejtë në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e opinionit publik”, shtoi Manja.

“Në vend të një procesi të qetë, të drejtë dhe të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik, në një tribunal mediatik që bie ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë”, vijoi ai.

“Për këto arsye është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë: të ndajmë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor”, nënvizoi Manja.

“Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në fakt, në rastin e deputetes Belinda Balluku ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për arrestim apo heqje lirie, kontroll banese apo kontroll personal, sepse nuk është një kërkesë për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë”, theksoi Manja.

Deputeti Manja theksoi se, Kuvendit po i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e së cilës janë në fuqi ndaj deputetes Belinda Balluku, siç është ndalimi i daljes jashtë shtetit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale për të cilën Prokuroria e Posaçme po heton që nga gushti i vitit 2024.

Sipas Manjës, zëvendësimi i masës mund të kërkohet në dy raste: kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur personi ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi personal nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.

Manja u shpreh se detyra e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve dhe e Kuvendit është që të japë vlerësimin vetëm mbi bazën e atyre që palët paraqesin në Këshill.

Në këtë kontekst, shtoi ai, “kompetenca e Kuvendit kufizohet në verifikimin nëse janë përmbushur kushtet ligjore për autorizimin e kufizimit të lirisë personale të një deputeti”.

Sa i përket vlerësimit të kërkesës nga ana e deputetëve të mazhorancës, Manja tha se nga shqyrtimi i materialeve që u paraqitën në Këshill rezulton se akuza penale ndaj deputetes Belinda Balluku nuk ka ndryshuar dhe lidhet me veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

“Nuk ka akuzë për korrupsion. Nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë. Ndryshe nga sa parashtrohet në kërkesë, por edhe ndryshe nga sa u parashtrua sot në raportin e pakicës parlamentare”, tha Manja.

Ai tha se provat mbi të cilat mbështetet kërkesa janë në thelb të njëjtat prova që kanë qenë në dispozicion të Gjykatës së Posaçme në momentin kur ajo vendosi masën fillestare të sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit.

“Nuk ka asnjë ndryshim rrethane nga ky moment deri në momentin kur ky Kuvend po shqyrton këtë kërkesë sot. Deputetja ka respektuar plotësisht masën e sigurimit të vendosur nga Gjykata”, tha ai.

“Duke pasur në dispozicion të njëjtin material provues, Gjykata e Posaçme kishte vlerësuar më parë se masa më e përshtatshme dhe proporcionale ndaj deputetes Balluku ishte ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe jo arresti”, shtoi Manja.

Sot, sipas tij, me të njëjtat rrethana i kërkohet Kuvendit të marrë atribute gjyqësore dhe të lejojë zëvendësimin e një mase më të lehtë, të përshtatshme sipas Gjykatës, me një masë më të rëndë, atë të arrestit në burg, duke i kërkuar parlamentit të heqë dorë nga funksioni i tij themelor kushtetues, atë të vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe kritereve ligjore për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e një prej anëtarëve të parlamentit.

Manja shtoi se neni 73 i Kushtetutës e përcakton qartë se deputeti nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Sipas tij, kjo dispozitë kushtetuese vendos një garanci institucionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe funksionimin e pavarur të pushtetit legjislativ.

Sipas Manjës, në këtë linjë është edhe neni 288 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit prokuroria, sa herë që kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi, duhet të paraqesë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

“Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesës dhe materialeve të paraqitura, ne anëtarët e shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kemi arritur në përfundimin se kërkesa e SPAK lidhet me zëvendësimin e një mase sigurimi ekzistuese që është respektuar plotësisht nga deputetja Belinda Balluku dhe që është gjykuar si e përshtatshme me të njëjtat fakte, prova dhe rrethana nga gjykata kompetente, që është GJKKO, gjë e cila është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit e Posaçëm”, tha Manja.

Së dyti, shtoi ai, akuza dhe materiali provues mbeten të njëjtat me atë që ka pasur në dispozicion si SPAK ashtu edhe GJKKO në momentin që është caktuar kjo masë.

“Masa është respektuar plotësisht. Nuk janë identifikuar rrethana të reja që ta justifikojnë vendosjen e kësaj mase. Akuza mbetet po e njëjta, ajo e shkeljes së barazisë në tendera dhe jo akuzë për korrupsion. Nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë dhe, duke qenë në këto rrethana, ne në respekt të këtij kuadri kushtetues, procedural dhe ligjor i sugjerojmë sot Kuvendit rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit ndaj deputetes Belinda Balluku me atë më të rëndë të arrestit në burg ose në shtëpi.

Mosdhënien e këtij autorizimi, pasi nga shqyrtimi i materialeve dhe rrethanave që bashkëshoqëronin kërkesën e SPAK nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe me funksionimin e institucionit të Kuvendit”, përfundoi Manja.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›