E Martë, 3 Nëntor 2026

Manja: Plotësohen vakancat në sistemin e drejtësisë brenda vitit 2026

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot se vakancat në sistemin e drejtësisë do të plotësohen deri në fund të vitit 2026.

I ftuar në një studio televizive, Manja u shpreh se nga procesi i vetting-ut u larguan 53,7% e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Sot ka një problem sistemi me vakancat e krijuara, por kemi Shkollën e Magjistraturës. Nëse para Reformës në Drejtësi kishim 408 gjyqtarë, duhet të shkojmë te kjo shifër. Aktualisht 246 gjyqtarë sot janë në sistem dhe 106 në Shkollën e Magjistraturës. Me strategjinë që kemi për plotësimin e vakancave në fund të vitit 2026 do të plotësohen të gjitha vakancat në sistemin e drejtësisë”, tha Manja.

Po ashtu, Ministri theksoi se për të rritur eficiencën e sistemit masat ligjore tashmë do t’i paraqiten shumë shpejt parlamentit.

I pyetur mbi raportin që ekziston mes të burgosurve dhe të paraburgosurve, Manja u shpreh se Ministri i Drejtësisë nuk mund të përgjigjet për këtë pyetje, sepse gjykatat në Shqipëri funksionojnë të pavarura.

“Sistemi është ndërtuar i tillë që në përmbajtje e kontrollon Apeli dhe Gjykata e Lartë. Për sa kohë drejtësia e re dhe gjykatat respektojnë afatet procedurale jam i qetë. Nuk ndërhyj te drejtësia. Ministri i Drejtësisë nuk ka për detyrë të ndërhyjë te sistemi i drejtësisë, është pushtet i pavarur. Nuk mund të ndërhyjmë si në kohën e Saliut”, tha Manja.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›