E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, sot dorëzohet lista e kabinetit të ri qeveritar

Kryeministri i Qeverisë Nikolla Gruevski sot do të dorëzojë pranë Kuvendit programin dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Sot në mesnate skadon afati kushtetues për kryeministrin për të dorëzuar programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski deri më 27 korrik do të duhet të caktojë seancën për votimin e kabinetit të ri qeveritar.

Në kabinetin e ri qeveritar, VMRO-DPMNE do të vazhdojë të përfaqësohet me ministrat e deritanishëm që ishin pjesë e qeverisë në ikje, Antonio Milloshoski ministër i jashtëm, Pande Llazarevski për ministër të mbrojtjes, Gordana Jankullovska për ministre të Punëve të Brendshme dhe anëtarët e tjerë të kabinetit të deritanishëm.

BDI do të drejtojë pesë ministri dhe postin e zëvendëskryeministrin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Abdylhaqim Ademi do të ushtrojë detyrën e zëvendëskryeministrit, ndërsa për ministra janë propozuar:Musa Xhaferi për ministër të Pushtetit Lokal, Fatmir Besimi për ministër të Ekonomisë, Bujar Osmani në shëndetësi, Xhelal Bajram për ministër i Punës dhe Politikës Sociale dhe Nexhat Jakupi për ministër të Ambientit Jetësor.

BDI ka caktuar edhe tre kandidatët për zëvendësministra:Nedim Ramizi në Ministrinë e Financave, Xhevat Buçi në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Vullnet Ameti në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në përbërjen e re qeveritare, BDI gjithashtu do të ketë edhe tre sekretarë shtetëror në dikasteret e tjera.(INA)  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›