E Diel, 1 Nëntor 2026

Më mirë një kafshë se një thesar

Shila, një vajzë tek të 12-at u rrëzua në shkallët e klinikës veterinare, por maçokun nuk e lëshoi nga krahu. E mbante fort me merakun se zemra e maçokut që quhej Kiti po rrihte fort. “Shiko mami se si po i rreh zemra nga rrëzimi im, po i del vendit”, iu drejtua Kiti të ëmës, Arjanës, e cila së bashku me të kishin ardhur në klinikë për të vizituar maçokun e zi me pulla të bardha. Temperatura i kishte shkuar 39 e gjysmë dhe diçka nuk shkonte. Një temperaturë deri në 38 e gjysmë mund të tolerohet tek macet.Doktoresha menjëherë i bëri një gjilpërë për uljen e temperaturës së tepërt dhe Kiti mezi u përmbajt. Vetëm Shila, e cila kishte krijuar një lidhje të fortë me të mund ta ndalonte për t’u larguar nga tavolina e vizitës. “Kiti më shiko mua, rri urtë, mos lëviz se ja nuk do të dhëmbë më”, iu drejtua ajo maçokut të saj që po vuante nga dhimbja e gjilpërës. U duk qartë që Shila ishte më e lidhur me maçokun e saj se sa e ëma, Arjana por të tre së bashku krijonin një familje të lezetshme. “Edhe 10 milion lekë të më japin unë nuk e shes Kitin tim”, rrëfen Shila, e cila kujdeset për macen 1-vjeçare në apartamentin e saj jo shumë të madh. Madje Shila bën gjithçka, e ushqen, i jep ujë, e lan dhe e kreh. Asnjëherë maçokut nuk i kanë munguar përkëdheljet. “E kemi veshur me rroba por i ka hequr sepse nuk i mban dot”, të tregon për maçokun e saj vajza bjonde me flokë të gjata. Arjana dhe Shila përshëndesin doktoreshën dhe ikin me gëzim që temperature e maces së tyre nuk është aq shqetësuese si më parë. “Do kthehemi prapë doktoreshë”, i thonë mjekes veterinere e ikin buzagaz.

****Në Tiranë është shtuar prirja për të mbajtur një kafshë në shtëpi. Një qen apo një mace mbeten më të preferuarat e kryeqytetasve. Madje as niveli ekonomik nuk e bën diferencën sepse një kafshë shtëpiake të ndihmon të jetosh më bukur. Prirjet e dashamirësve të kafshëve janë nga më të çuditshmet. Në rrugë dëgjon që t’u drejtohen kafshëve që mbajnë sikur t’u drejtoheshin njerëzve të tyre me të dashur: “e vogla e nonës”, “shpirti i mamit”, apo “bebushi i bukur”.Megjithë këtë tendencë, asgjë s’është jashtë normales sepse një kafshë të ndryshon mënyrën e të jetuarit. Të ofron shumë dashuri, të nxit të japësh po më shumë dashuri dhe të ul nivelin e stresit.Të blesh një qen apo mace në dyqanet e kryeqytetit nuk kushton edhe shumë. Çmimet variojnë nga 17 mijë lekë të reja deri në 30 mijë lekë të reja. Por edhe ta mbash nuk kushton shumë, rreth 3 mijë lekë të reja në muaj. Ajo që të kushton më shumë është koha dhe durimi, sepse për ata që nuk e kanë është mirë të mos i futen kësaj aventure.

RRACAT MË TË PREFERUARAKrahasuar me macet, qentë mbeten më të preferuarit e kryeqytetasve, sidomos ata të rracës pekineze. Sepse janë të vegjël¸me qime të gjatë, në gjyrë kafe të bukur dhe me fytyrë të shtypur por simpatike. Preferenca duket se shpjegohet edhe me madhësinë trupore të tyre, e cila i lejon mbajtësit e kafshëve që të kujdesen pa shumë peripeci për ta. Por një rracë tjetër e preferuar mbeten edhe rraca terrier, qentë e së cilës janë të bardhë ose të zinj, me trup mesatar, me qime më të gjatë se pekinezët dhe me onde. Nuk përjashtohet nga preferenca edhe dalmatët e pastorët, të cilët kanë një trup më të madh dhe që shpeshherë përdoren si qen roje apo gjuetie. Më të “ashpërit” në listën e preferencave mbeten bulldogët dhe rotvajlerët, të cilët janë trupmëdhenj e të frikshëm.Ndërsa racat e maceve janë më të pakta në radhën e preferencave. Në vend të parë kryeson macja e përzier, që shpeshherë quhet edhe macja shqiptare. Këto lloj macesh janë qimeshkurtëra dhe shumëngjyrëshe. Ato karakterizohen nga një lëvizshmëri e madhe. Të preferuara mbeten edhe macet persiane e siameze, të parat qimegjata dhe të buta kurse të dytat veç butësisë gëzojnë edhe sytë në ngjyrën e qiellit.Ajo që i ndan qentë nga macet është fakti se pavarësisht se qentë kanë një afrimitet më të madh me “zotërinë e tyre”, macet kërkojnë më pak ushqim dhe shëtitje.

KUJDESI EKSTREMNuk duhet të habitesh në rast se në dyqanet maceve dhe qenve do të gjesh edhe këpucë apo vëthë. Ka njerëz që janë “të çmendur” pas lookut të qenit apo maces së tyre. Për shembull në dyqane përveç ushqimit të gatshëm prej 5 kilogramësh që kushton nga 1 mijë lekë të reja deri në 3 mijë lekë të reja mund të gjesh edhe këpucë që kushtojnë deri në 2 mijë lekë të reja. Madje për qenin apo macen mund të gjesh qafore, trupore dhe bluza të posaçme nga të gjitha ngjyrat dhe të gjitha përmasat. Çmimet për këto nisin nga 1 mijë lekë të reja e përfundojnë në 2 mijë lekë të reja. Kurse për momentin e ndarjes së të vegjëlve nga qenushja apo macja ka biberon të posaçëm, të cilët i gjen thuajse me çmimet e biberonëve për fëmijë, 800 lekë të reja. Me çmime sa të produkteve të njerëzve mbeten shampot e larjes së flokëve, të cilat ka raste që edhe e kalojnë kufirin, 800 lekë të reja.Por mania e fundit e “të zotëve” të këtyre kafshëve mbeten edhe qethja me stil apo lyerja e pjesëve të ndryshme të qimeve të qenit apo maces së tyre. Gjithçka në emër të lookut, gjithçka në emër të konkurencës se cila kafshë do të jetë më e bukura.

Pse disa njerëz i duan kafshët më shumë?

Ka njerëz që lënë kokën për qenin apo macen e tyre dhe ka të tjerë që nuk i durojnë aspak. Por përse disa njerëz i duan më shumë këto kafshë se disa të tjerë? Përgjigjet janë disa. Së pari gjithçka lidhet me tipin dhe ndjeshmërinë e një personi. Sepse që të duash një kafshë dhe mbi të gjitha të kujdesesh për të çdo ditë kërkon që të dish të japësh dashuri. Por në këtë aspekt këtyre njerëzve nuk u mungon as vullneti për t’i dashur kafshët që mbajnë njësoj si në ditën e parë që kanë vendosur për të “birësuar” një qen apo mace. Por me dashurinë për kafshët lidhet edhe aktiviteti ditor i një personi. Njerëzit që përgjithësisht e kalojnë ditën në aktivitet të ngjeshur dhe jashtë shtëpisë së tyre e kanë të vështirë që të përkushtohen tek kafshë të caktuara. Praninë e një kafshe pranë tyre e kërkojnë kryesisht njerëzit që janë vetëm, që nuk kanë aktivitet shumë të ngjeshur dhe sidomos fëmijët. Për këta të fundit prania e një kafshe është shumë e rëndësishme sepse u jep atyre shumë gjëra për të mësuar: të jenë të dashur, të komunikueshëm dhe të kujdesen për të tjerët. Madje tek fëmijët një kafshë ndonjëherë zëvendëson edhe mungesën e shokëve, motrave dhe vëllezërve si dhe të prindërve kur nuk ndodhen afër. Tek të rriturit ajo që një kafshë sjell në jetën e tyre është një lloj ndryshimi i mënyrës së të jetuarit. Është provuar shkencërisht se prania e një kafshe në shtëpi të ul nivelin e stresit. Pra, nëse një person i do apo jo kafshët dallohet fare qartë që në fëmijëri dhe duhet të jeni të sigurtë se tipi i tij do të jetë shumë i ndjeshëm.

Sonila ÇoçoliMjekja e kafshëve

“Kujdesi për kafshët, i përhershëm”

Nuk mjafton që një kafshë të duhet shumë, për të duhet treguar kujdes maksimal por edhe i përhershëm sepse ndryshe nga njerëzit që dinë të kujdesen për veten, kafshët nuk mund ta shprehin me fjalë atë që ndiejnë kur kërkojnë diçka.Gjithkush që mban një qen apo mace duhet t’u shërbejë atyre ushqim në vafte të rregullta dhe gjatë gjithë ditës ujë. Njëkohësisht duhet që, sidomos qentë, të shoqërohen në shëtitje të domosdoshme. Nga ana tjetër larja dhe shërbimet e tjera pas saj duhet të jenë të rregullta. Por ndodh që shpeshherë vizitat në klinika të posaçme për kafshët mungojnë. Për të shmangur këtë gjë duhet të keni parasysh që qeni apo macja juaj duhet të bëjnë të paktën dy vaksina në vit dhe të kontrollohen imtësisht nga mjekët veterinerë për shëndetin. Kjo sepse ndërrimi i stinëve dhe i temperaturave bën që këto kafshë të kenë probleme me shëndetin e tyre. Për shembull stina e nxehtë e verës me temperaturat e larta u krijon kafshëve jo në pak raste probleme me lëkurën e tyre, pasi edhe vetë mbajtësit e kafshëve nuk u kryejnë atyre shërbimin e qethjes. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për të evituar rënien e qimeve të kafshëve, të cilat bëhen problem edhe për ambjentet e banimit.Por mbi të gjitha një kafshë kërkon dashuri. Sepse një kafshë kupton gjithçka nga veprimet tuaja dhe është po aq miqësor sa ju jeni dhe di të sillet po aq ashpër sa ju silleni. Komunikoni me kafshët tuaja dhe keni për ta parë sa mirë do jetoni më miqtë tuaj të veçantë.

A e dini se…

Një qen ose mace jeton deri në moshën 15-vjeçare

Një qen ose mace i mëson sjelljet në dy muajt e parë të jetës së tij

Një qen është më shumë i lidhur shpirtërisht me njerëzit se sa një mace

Një qen ose mace në Shqipëri kushton nga 17 mijë lekë të reja deri në 30 mijë lekë të reja

Një qen ose mace ka gjithçka që njerëzit kanë: bibern kur janë të vegjël, veshje, zinxhirë në qafë, këpucë, flokë të lyer, vëth në vesh, topë për të luajtur, çantë dhe krevatë të rehatshëm

Një qen ose mace bën dy vaksina në vit

Një qen ose mace, sipas rregullave ndërkombëtare ka në krahun e saj një mikroçip që quhet ndryshe numri elektronik dhe që shërben për verifikim

Një qen ose mace ka pasaportë

Një qen ose mace, kur transportohet jashtë kufijve të një shteti duhet të jetë i pajisur me pasaportë, fletë shoqëruese dhe me përfundimin e një testi ndërkombëtar në Gjermani për bërjen e vaksinës kundër sëmundjes së tërbimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›