Maran për miqësoren ndaj Luksemburgut: Duhet të gjejmë ekuilibrin mes sulmit dhe mbrojtjes

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran deklaroi sot se ka vetëm 20 ditë që është në krye të skuadrës dhe se procesi i njohjes me lojtarët dhe ndërtimit të ekuilibrit të ekipit kërkon kohë.
Në konferencën për shtyp në prag të miqësores me Luksemburgun, Maran u shpreh se ekipi duhet të gjejë balancën mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse, duke theksuar se në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit janë vërejtur si elemente pozitive ashtu edhe gabime që duhen korrigjuar.
Ai vlerësoi angazhimin e lojtarëve dhe përkushtimin në stërvitje, ndërsa shtoi se skuadra po punon mbi aspektet taktike për të rritur cilësinë e lojës.
“Besoj se përmirësimi do të vijë. Lojtarët kanë vëmendje dhe gatishmëri të madhe”, u shpreh Maran, duke shtuar se objektivi është përgatitja për ndeshjet e ardhshme zyrtare.
Trajneri italian konfirmoi gjithashtu mungesën e Anis Mehmetit për sfidën e nesërme, për shkak të gjendjes fizike.
Duke folur për repartin sulmues, Maran u ndal edhe te lojtari Luis Hasa, për të cilin tha se pozicioni më i përshtatshëm mund të jetë më i avancuar në qendër, si një gjysmëmesfushor ofensiv, duke i dhënë më shumë liri në organizimin e lojës.
Ai theksoi se skuadra është në një fazë testimi dhe përshtatjeje, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përgatitjeve për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve.
Në përfundim, Maran u shpreh se ky proces do të shërbejë për të kuptuar më mirë karakteristikat e lojtarëve dhe për të ndërtuar një ekip më konkurrues në të ardhmen.
/gj.m/r.e/a.f/