Miqësorja me Luksemburgun, Hysaj: Duhet të jemi të përqendruar dhe të shfrytëzojmë rastet

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj foli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme miqësore ndaj Luksemburgut, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës në takimin e fundit ndaj Izraelit, pavarësisht humbjes.
Hysaj theksoi se ekipi ka bërë një ndeshje të mirë dhe ka krijuar raste, ndërsa u shpreh optimist për të ardhmen nën drejtimin e trajnerit të ri, duke vlerësuar filozofinë më sulmuese dhe mënyrën e re të lojës që po aplikohet.
“Duhet të jemi të përqendruar dhe të shfrytëzojmë rastet. Kemi pasur mundësi për të shënuar dhe duhet të përmirësohemi para portës”, u shpreh Hysaj, duke shtuar se futbolli modern nuk njeh kundërshtarë të lehtë dhe kërkon maksimalisht vëmendje.
Ai vlerësoi gjithashtu ambientin në ekip dhe punën e stafit teknik, duke theksuar se trajneri i ri sjell energji pozitive dhe një stil loje më agresiv e më krijues.
Sipas tij, përshtatja me filozofinë e re nuk kërkon shumë kohë për një ekip me eksperiencë, ndërsa theksoi besimin se Kombëtarja mund të arrijë objektivat e saj, përfshirë kualifikimin në Europian.
Mbrojtësi kuqezi u ndal edhe te sulmuesit e skuadrës, duke thënë se ata duhet të lirohen nga presioni dhe të kenë mbështetjen e plotë të grupit.
Në fund, Hysaj u shpreh krenar për mundësinë për të arritur ndeshjen e 100-të me fanellën e Kombëtares, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë në karrierën e tij.
/gj.m/a.f/r.e/