Maran shpjegon zgjedhjet për Shqipërinë - flet për Balliun, Strakoshën dhe lojtarët nga Kosova

Përzgjedhja e futbollistëve, forma dhe minutazhi te klubet, mungesat e Ivan Balliut e Thomas Strakoshës, por edhe mundësia për lojtarët e tjerë që të bëhen pjesë e Kombëtares së Shqipërisë - përzgjedhësi Rolando Maran ka folur për të gjitha këto në konferencën për media.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, ka shpjeguar vendimet e tij për listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, duke theksuar se përzgjedhja është bërë kryesisht në bazë të formës dhe minutazhit që lojtarët kanë pasur me klubet e tyre.
Tekniku italian u ndal edhe te mungesa e Ivan Balliut, për të cilin bëri të ditur se tërheqja nga Kombëtarja ishte vendim i vetë futbollistit, ndërsa për portierin Thomas Strakosha tregoi se nuk është ende në gjendje optimale fizike.
“Nëse mungon ndonjë lojtar, nuk do të thotë që nuk është i aftë për ta ndihmuar skuadrën. Jam bazuar shumë te forma dhe te minutazhi që kanë pasur me klubet e tyre. Sa i përket përmirësimit të statistikave, për të gjithë Ligën C, jemi në vendin e parë për sa i përket pritshmërive për të shënuar gol dhe në vendin e parë për ekipet që kanë pësuar më pak gola. Dua të stërvit një skuadër që t’i ketë këto statistika”, ka thënë fillimisht Maran.
“Sa i përket Ivan Balliut, ishte një zgjedhje e tij. Prej kohësh ai ka pasur një dëmtim. Është vendimi i tij për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Sa i përket Strakoshës, nuk është në 100% e tij. Nëse do ta luanim, do ta vendosnim në vështirësi”.
Maran: Presioni është pozitiv, synojmë kreun e grupit
Trajneri i Shqipërisë foli edhe për objektivin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit, duke e konsideruar presionin si një motiv shtesë për të arritur rezultatin e dëshiruar.
“Presioni është pozitiv dhe të nxit të bësh mirë për të arritur objektivin për të qenë në krye, Kam folur me lojtarët dhe ata e duan këtë objektiv. Është pozitive dhe na shërben të bëjmë më të mirën. Në Kombëtare i takoj më rrallë lojtarët dhe kjo më pengon”.
Maran shpjegoi se në këtë grumbullim ka vendosur t'u besojë futbollistëve me të cilët ka punuar në ndeshjet e mëparshme, por la të hapur mundësinë për lojtarë të tjerë, përfshirë sulmuesin Indrit Tuci.
“Në këtë listë doja të konfirmoja lojtarët me të cilët kam punuar deri më tani. Tuci është lojtar i mirë, më pëlqen dhe nëse do të vazhdojë të shënojë dhe të jetë në formë të mirë, e ka derën e hapur, kemi gjithnjë nevojë për lojtarë të mirë”.
- YouTube www.youtube.com
Ai foli edhe për raportin me tifozët, duke bërë të ditur se stërvitja e së hënës do të jetë e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pranë Kombëtares.
“Kemi dëshirë të jemi sa më afër edhe me tifozët dhe kemi vendosur që të hënën do të hapim portat e stërvitjes për të gjithë tifozët që duan të jenë pranë nesh. Duam të kemi një sinergji për të gjithë njerëzit që e duan këtë fanellë”.
“Është e njëjtë për Tucin, të gjithë janë në vëmendjen tonë, por kam dashur t’i jap besim lojtarëve që më kanë pëlqyer në ndeshjet e kaluara”, u shpreh Maran.
Futbollistët nga Kosova, Maran: Kush zgjedh Shqipërinë është krenar për këtë fanellë
Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua edhe futbollistëve me prejardhje nga Kosova që mund të jenë në planet e Kombëtares shqiptare. Maran u shpreh se çdo lojtar që zgjedh të përfaqësojë Shqipërinë duhet të jetë krenar për fanellën kuqezi.
“Në fakt unë kam fanellën kuqezi dhe kush pranon të luajë për Kombëtaren shqiptare, është krenar të luajë për këtë fanellë. Këtë ma keni mësuar ju. Kush zgjedh të luajë për Kombëtaren shqiptare është krenar për të luajtur për këto ngjyra”, potencoi italiani.
I pyetur për Klidman Lilon, trajneri konfirmoi se futbollisti është në vëzhgimin e stafit, por sqaroi se për këtë grumbullim ka preferuar të ruajë grupin me të cilin ka punuar në katër ndeshjet e para.
“Klidman Lilo? Është një lojtar që po e ndjekim. Por kam dashur të konfirmoj këto dy ndeshjet bllokun që kemi punuar në katër ndeshjet e para. Jam i bindur për këta lojtarë që kemi grumbulluar”.
Ndërkohë, për Elia Caprile dhe Amar Gërxhaliun, të cilët kanë marrë pasaportën shqiptare disa javë më parë, Maran bëri të ditur se deri më tani nuk kanë qenë pjesë e planeve të tij, por nuk përjashtoi mundësinë që këto zgjedhje të analizohen në të ardhmen.
“Në këtë pikë, Caprile dhe Gërxhaliu nuk kanë qenë pjesë e planeve tona. Por ndoshta në një moment tjetër do të kemi analizë për këto zgjedhje”.
Në fund, tekniku italian foli edhe për nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm të skuadrës, duke u ndalur te dyshimet që ka lënë paraqitja e fundit ndaj San Marinos. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së futbollistëve nga kampionati vendas për rritjen e nivelit të futbollit shqiptar.
“Ne punojmë çdo ditë për tu përmirësuar, ka disa gjëra që nuk janë bërë mirë, por kjo na jep stimul. Unë gjithnjë mundohem të gjej ide të reja dhe zgjidhje. Ndeshja e fundit me San Marinon ka lënë disa dyshime, por kjo na shtyn të përmirësohemi dhe të bëjmë më mirë”.
“Duke bërë diçka për kampionatin, duke marrë lojtarë nga Superiorja, ndihmon në rritjen e nivelit të futbollit vendas dhe me rritjen e tij, dalin lojtarë më të mirë që mund të ndihmojnë në vazhdim kombëtaren”, përfundoi përzgjedhësi i Shqipërisë. /Telegrafi/