E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marrëveshja RTSH-AQSHF, Tanini: Publiku do të shohë 19 filma shqiptar të restauruar. Do digjitalizojmë edhe filmat e parë televiziv

Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Audiovizive, u nënshkrua një marrëveshje  bashkëpunimi mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), me qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë filmike dhe mediatike.

Marrëveshja e firmosur nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së Eni Vasili, dhe Drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini, ishte në fokus edhe të emisionit “Në kohë reale” në RTSH nën moderimin e Flori Gjinit.

Drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini, i cili ishte i ftuar në këtë emision,  u shpreh se ishte në dijeni për situatën e arkivit në RTSH-së sepse është edhe fans i arkivave, pasi ka punuar me këto materiale.

“Kemi bërë një marrëveshje për ta shpëtuar arkivin. Pak nga pak pashë edhe se si ishte gjendja e arkivit të RTSH-së. Pashë edhe një postim të zonjës Vasili. Patëm një komunikim dhe ndamë një eksperiencë në bazë të arkivit tuaj dhe të sonës.“, tha ai.

Sipas Taninit, në bazë të marrëveshjes, njerëzit do të shohin rreth 19 filma shqiptar të restauruar, me cilësi shumë të mirë në mënyrë që të mos i shohin më ato filma ku duken vetëm sytë.

“Marrëveshja është shumë e mirë. Në AQSHF ka një ruajtje të kujdesshme tej mase sa i përket filmit dhe materialeve të tjera.”, tha ai.

Tanini me këtë rast zbuloi edhe cilat filma televiziv do të digjitalizohen fillimisht nga AQSHF.

“Ne do digjitalizojmë filmin e parë televiziv besoj ose “Dorina” ose “Korrierët”. Gjatë rrugës do të shohim më tej, në bazë edhe të marrëveshjes, se çfarë materialesh të tjera do të shpëtohen nga arkiva e RTSH-së. Sa i përket arkivit të filmit asgjë nuk ka humbur në AQSHF sepse negativët janë tek ne. Nuk flas dot për ato që janë në RTSH. Me teknikën që do afrojmë do të shohim se si është gjendja e arkivit të RTSH-së. Nga ato që kemi parë, gjendja duhej të ishte më e mirë.”, tha Tanini.

Drejtori i AQSHF-së vlerësoi punën që po bën drejtoresha e RTSH-së për të shpëtuar arkivin e këtij institucioni.

“Drejtuesja e re e RTSH-së po bën një punë fantastike. Ajo është orientuar te arkiva dhe po i kushton shumë vëmendje. Kjo është një gjë shumë e mirë. Falë bashkëpunimit do të ndërtojmë një listë në mënyrë që të pasurojmë edhe arkivin tonë me qasje historike.”, tha Tanini.  

Sipas tij, të gjitha institucionet e rëndësishme ministritë, kryeministria etj., të gjithë duhet ti sjellin materialet në AQSHF.

“Materialet e para po vijnë nga kryeministria, deri diku dhe nga Policia e Shtetit. Nuk duhet të jenë në arkiv vetëm ato të para viteve 90, por edhe të atyre më pas sepse është detyrim ligjor.“, tha Tanini.

/rtsh.al/  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›