E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një histori suksesi nga mikrofonët e Radio Tiranës: Emisioni “Ligj dhe Drejtësi” zgjidh një çështje pronësie pas 25 vitesh

Në emisionin “Në Kohë Reale” u soll në vëmendje një histori suksesi që nuk vjen nga sallat e gjykatave, por nga mikrofonët e Radio Tiranës.

Programi “Ligj dhe Drejtësi”, i drejtuar nga gazetarja Blerina Hamzollari dhe pedagogia Lirime Çukaj, profesore në Fakultetin e Drejtësisë, ka si qëllim t’i shërbejë publikut, duke ofruar ndihmë juridike dhe ndërmjetësim falas për çështje të ndërlikuara, pa synuar rritjen e audiencës, por duke u përqendruar te nevojat reale të qytetarëve

Në fokus ishte historia e qytetarit Dashnor Nako, i cili pas 25 vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të zgjidhur një çështje pronësie, arriti të pajiset me certifikatën e pronësisë falë ndërhyrjes së stafit të emisionit.

Gazetarja Blerina Hamzollari dhe pedagogia Lirime Çukaj, treguan sesi përmes ndërmjetësimit dhe ndjekjes së dosjes hap pas hapi, arritën të finalizonin me sukses një proces që për shumë kohë ishte konsideruar i ndërlikuar dhe i pazgjidhshëm.

Në studio u theksua se “Ligj dhe Drejtësi” nuk është thjesht një emision informues, por një platformë konkrete zgjidhjeje, që falë bashkëpunimeve me institucionet ligjore dhe përkushtimit të stafit, po ndihmon qytetarët të marrin drejtësi aty ku sistemi ka ngecur.

 “Programi po shkon shumë mirë sepse ka si devizë t’i shërbejë publikut. Ne nuk punojmë për të rritur audiencën, por për t’i shërbyer audiencës,” tha Hamzollari, duke theksuar angazhimin e ekipit për të ndjekur çdo dosje deri në zgjidhjen përfundimtare.

Qytetari Dashnor Nako, u lidh me emisionin përmes një telefonate dhe falë ndërhyrjes së stafit të “Ligj dhe Drejtësi”, arriti të pajiset me certifikatën e pronësisë.

“Duke ndjekur emisionin mendova se problemi im ishte shumë i përshtatshëm për ta. U drejtova për të kuptuar si mund të jetë zgjidhja. Falë tyre nxora certifikatën e pronësisë dhe tani po merremi me legalizimin, sepse kalimi i Unazës së Madhe në Tiranë po na shkel truallin,” tha Nako, duke shtuar se kishte kërkuar ndihmë nga juristë të ndryshëm, por gjithmonë i ishte thënë se çështja ishte e ndërlikuar dhe kërkonte kohë.

Si emigrant, ai nuk kishte mundësi ta ndiqte vetë procesin, por gjeti mbështetje tek pedagogia Lirime Çukaj dhe gazetarja Hamzollari.

 “Krijova një shpresë tek pedagogia Lirime Çukaj dhe gazetarja Hamzollari, të cilat jo vetëm që e përfunduan me sukses këtë proces, por e mbaruan më mirë se një avokat.”

Pedagogia Lirime Çukaj, bashkautore e emisionit dhe profesore në Fakultetin e Drejtësisë, e ftuar në emisionin “Në Kohë Reale”, theksoi se mungesa e informacionit ligjor është një problem i përhapur në shoqëri, veçanërisht për çështjet e pronësisë.

 “Shumicës së popullsisë i mungon informacioni. Çështja e pronës ndoshta është rast unik në botë për kompleksitetin që ka në vendin tonë. Pas ligjit 7501 kemi shumë ligje të tjera që mbivendosen këtij ligji,” tha Çukaj.

Gazetarja Hamzollari, duke iu referuar rastit të qytetarit Nako, theksoi se emisioni nuk do ta lërë procesin përgjysmë.

“Ne e zgjidhëm problemin e parë të qytetarit Nako duke e pajisur me Certifikatë Pronësie, por sërish me mirëbesim na është drejtuar për një rast të dytë procedurial që vetë programi ynë është duke u marrë.”

Ajo shtoi se si televizion publik, ekipi ka realizuar një marrëveshje me shërbimin e ndërmjetësimit dhe është në negociata për të bashkëpunuar edhe me Përmbarimin, me qëllim ofrimin e shërbimeve falas për kategoritë në nevojë.

 “Jemi në shërbim të qytetarit dhe kjo e bën këtë program shumë të ndjekur. Kemi fluks të lartë telefonatash,” përfundoi Hamzollari, duke konfirmuar se “Ligj dhe Drejtësi” po shndërrohet në një model funksional të gazetarisë me ndikim real në jetën e qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›