E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja me SHBA-në/ 302 mln dollarë kredi për armët e fundit ajrore dhe detare, borxhi12 vite kohë për tu shlyer

Ditën e djeshme, Kuvendi i dha dritën jeshile përfundimtare marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kredinë prej 302 milionë dollarësh, e cila do të përdoret për investime në fushën e armatimeve dhe të Forcave të Armatosura.

Bëhet fjalë për programin e Financimit Ushtarak të Huaj (FMF), pjesë e të cilit Shqipëria është bërë tashmë përmes kësaj kredie të akorduar nga qeveria amerikane.

Fondet do të investohen konkretisht në Forcat e Armatosura për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake, si për flotën ajrore dhe atë detare, ashtu edhe për armatimet ofensive.

Megjithatë, detajet e marrëveshjes mbeten hermetike, pasi bëhet fjalë për informacion të klasifikuar. Për këtë arsye, as qeveria shqiptare dhe as Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk kanë bërë të ditura pikat më thelbësore të këtij akordi.

Ajo që dihet deri më tani është se Sekretari i Shtetit është autoriteti që përcakton vendet përfituese dhe shumat përkatëse që do të lëvrohen.

Në këtë kuadër, Shqipëria do të ketë një afat prej 12 vitesh për shlyerjen e plotë të kredisë. Gjithashtu, financimi nuk do të lëvrohet i plotë në momentin e nënshkrimit; parashikohet një periudhë prej të paktën katër vitesh për disbursimin e plotë të shumës së miratuar në marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›