E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja për armëpushim nuk është në axhendën e Netanyahut, kabineti i sigurisë së Irzaelit do të diskutojë ofensivën në Gaza

Kabineti izraelit i sigurisë do të mblidhet për të shqyrtuar planet për marrjen e kontrollit të Qytetit të Gazës, ndërsa qeveria përballet me presion ndërkombëtar në rritje dhe kundërshtim të pashembullt vendas, madje edhe nga vetë udhëheqësit e sigurisë të Izraelit, shkruan CNN.

Rishikimi është thjesht një përditësim formal për të gjithë kabinetin e sigurisë, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz miratuan tashmë planet e IDF-së në fillim të këtij muaji. Por kjo mbledhje vjen ndërsa Izraeli përballet me disa javë vendimtare brenda dhe jashtë vendit.

Krahas përshkallëzimit të planifikuar ushtarak, Netanyahu dhe kabineti, i përbërë nga zyrtarë të lartë, përfshirë Katz dhe Ministrin e Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, pritet të diskutojnë një ofensivë diplomatike në përgjigje të valës së parashikuar të njohjeve për shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e ardhshëm.

Netanyahu po shqyrton masa që variojnë nga aneksimi i plotë i Bregut Perëndimor, te aneksimi i pjesshëm i vendbanimeve të caktuara, deri te sanksionimi i Autoritetit Palestinez, sipas dy zyrtarëve izraelitë.

Aneksimi i çdo pjese të Bregut Perëndimor të pushtuar duke zbatuar sovranitetin izraelit do të shkelte rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të shkaktonte një reagim të madh diplomatik. Por është pikërisht ajo që kërkojnë partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut.

Ndërsa shqyrton hapat që duhet të ndërmarrë në Bregun Perëndimor, qeveria izraelite po ecën përpara me sulmin ushtarak në Qytetin e Gazës, pavarësisht presionit në rritje për të ndjekur një rrugë diplomatike që do t’i jepte fund luftës gati dyvjeçare.

Ushtria izraelite kreu sulme intensive në dhe përreth qytetit të Gazës ditët e fundit, ndërsa përgatitet për të marrë kontrollin dhe për të pushtuar qytetin.

Të paktën 47 persona u vranë vetëm në qytetin e Gazës të shtunën, sipas shifrave të spitaleve në Gaza.

Hamasi vazhdon të ketë një prani në Gaza pavarësisht gati dy viteve luftimesh dhe një nga sulmet e fundit të Izraelit vrau zëdhënësin e Hamasit, Abu Obaida, tha Katz.

“Së shpejti, ndërsa fushata në Gaza intensifikohet, shumë të tjerë nga partnerët e tij në krim, vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit, do t’i bashkohen atje”, shtoi ai.

Sulmet vijnë gjithashtu në mes të një krize humanitare që po përkeqësohet në enklavën e goditur, pasi ministria palestineze e shëndetësisë tha të dielën se shtatë persona të tjerë vdiqën nga kequshqyerja, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga kequshqyerja në 339.

Armëpushimi nuk është në prioritetet e Netanyahut

Kundërshtuesi më i rëndësishëm ndaj marrjes së kontrollit të Gazës nga Izraeli është sistemi i sigurisë i vendit, i udhëhequr nga Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, i cili e ka paralajmëruar Netanyahun dhe kabinetin e tij se ofensiva e Gazës do të rrezikojë pengjet e mbetura, do të rrezikojë jetën e ushtarëve dhe do të thellojë krizën humanitare në enklavë.

Dy burime izraelite i thanë CNN se shqetësimi dhe fokusi kryesor i Zamirit është fati i pengjeve dhe pritet që ai t’i kërkojë kabinetit të diskutojë negociatat mbi propozimin e fundit për armëpushim përpara se të përshkallëzohet lufta. Burimet thanë se ky qëndrim mbështetet edhe nga shumica e krerëve të agjencive të tjera të sigurisë.

Më herët këtë muaj, Hamasi pranoi ofertën më të fundit të ndërmjetësve të Katarit dhe Egjiptit për një armëpushim të përkohshëm 60-ditor, gjatë të cilit 10 nga pengjet e gjalla do të ktheheshin në këmbim të një lirimi masiv të të burgosurve palestinezë. Oferta bazohet në një propozim të ngjashëm të paraqitur nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, në korrik, i hartuar fillimisht në koordinim me Izraelin.

Megjithatë, Netanyahu, në koordinim me Shtëpinë e Bardhë, kohët e fundit ka ndryshuar strategji.

Pas muajsh këmbënguljeje për të negociuar vetëm korniza të pjesshme dhe me faza, ai tani thotë se është i gatshëm të diskutojë vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të lironte të gjithë pengjet dhe do t’i jepte fund luftës sipas kushteve dhe afateve izraelite.

Sipas dy zyrtarëve të lartë izraelitë, Netanyahu nuk ka ndërmend ta ngrejë çështjen e negociatave edhe në mbledhjen e sotme të kabinetit, megjithëse çështja mund të ngrihet gjatë prezantimit për Qytetin e Gazës. Fakti që marrëveshja nuk është zyrtarisht në axhendë tregon se sa poshtë është propozimi në listën e prioriteteve të Netanyahut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›