E Martë, 3 Nëntor 2026

“Marubi” u vulos si pasuri botërore! Rama rreshton projektet kulturore për Shkodrën

Arkiva “Marubi” u shpall pak ditë më parë nga UNESCO pjesë e “Memory of the World”. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin pikërisht tek kjo arritje në aspektin kulturor gjatë takimit në Shkodër.

“Shkodra ka një kontribut në arkivin e botës. Ka qenë në fije të perit, i mbytur nëpër thasë, një tmerr i madh. E dini që ndërtuam Muzeun, vumë nën kontroll arkivin me laborator e të gjitha. Përtej ndjeshmërisë e vullnetit tonë, në Tiranë dua t’i njoh meritën një djali që do mbetet në histori si njeriu që shpëtoi Arkivin dhe Shkodrën nga një turp i madh. Është realisht përkushtimi, mënyra shumë personale që ai e sheh atë pasuri si pjesë të trupit të vet dhe jam i privilegjuar që kam pasur mundësi ta njoh”, u shpreh kreu i qeverisë, duke shtuar se arti e kultura kanë ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm e biznes.

Më tej rreshtoi një sërë projektesh që do të finalizohen në këtë qytet.

“Muzeu i ri i Kujtesës, një tjetër derë ku jo vetëm të huajt, por edhe ne mund të shohim fizikisht brutalitetin e asaj kohe. Kemi projektin e Sheshit të Xhamisë së Madhe të Shkodrës që shpresojmë ta bëjmë realitet. Do të krijohet një hapësirë e madhe për kulturë, muzalizim në një kënd tjetër historie. Nuk duhet harruar kurrë se si feja ka rrugëtuar deri sot në Shqipëri. Muzeu i Lundrimit, projekt i nisur, në këmbët e Kalasë së Rozafës. Muzeu Etnografik që shpresoj shumë ta çojmë përpara. Edhe sigurisht Pinakotekën. Jemi në diskutim për transformimin e bashkisë, për ta kthyer në muze, admninistrata s’e ka problem të lëvizë diku tjetër sepse është gjynah që ajo mos hapet dhe mos vizitohet nga të gjithë”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›