E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masa për sezonin e zjarreve, Çako: Reagim në kohë reale, qytetarët të sinjalizojnë çdo rast

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) u zhvillua mbledhja e Komitetit Teknik Këshillimor, me fokus masat e marra për përballimin e sezonit të zjarreve, situatën aktuale dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.

Takimi u zhvillua me drejtuesit e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në vend dhe u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako.

Gjatë mbledhjes, Çako theksoi se takimi zhvillohet në zbatim të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile, ndërsa nënvizoi se mbrojtja e jetës, shëndetit të qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet prioriteti kryesor i strukturave përgjegjëse.

“Temperaturat e larta të javëve të fundit kanë vënë në provë strukturat e mbrojtjes civile. Jemi në gatishmëri 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të garantuar reagim të shpejtë dhe efektiv në çdo situatë”, u shpreh Çako.

Sipas të dhënave të paraqitura gjatë takimit, nga data 22 qershor deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë vendin, nga të cilat 127 raste kanë qenë zjarre në sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra dhe zona të tjera të mbuluara me vegjetacion.

Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së bëri të ditur se strukturat e mbrojtjes civile kanë kapacitete të plota operacionale dhe janë të angazhuara për reagim në kohë reale ndaj çdo situate emergjente.

“Strukturat e mbrojtjes civile kanë kapacitete të plota dhe reagojnë në kohë reale. Megjithatë, asnjë kapacitet nuk është i mjaftueshëm pa sinjalizimin në kohë nga qytetarët”, theksoi Çako.

Ai u bëri apel qytetarëve për bashkëpunim dhe raportim të menjëhershëm të rasteve të zjarreve, duke garantuar se masat e marra synojnë mbrojtjen e qytetarëve dhe turistëve në të gjithë territorin e vendit.

Çako vlerësoi gjithashtu koordinimin e vazhdueshëm mes të gjitha strukturave përgjegjëse, përfshirë Policinë e Shtetit, shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Urgjencën Mjekësore dhe Forcat e Armatosura.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, bëri të ditur se janë informuar të gjitha bashkitë dhe është kërkuar hartimi i planeve të masave të përbashkëta mes shërbimit pyjor, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.

Sipas tij, institucionet janë angazhuar për zhvillimin e fushatave sensibilizuese dhe për garantimin e një reagimi të menjëhershëm në rast të situatave të zjarreve.

Cara theksoi rëndësinë e funksionimit efikas të sistemeve të vrojtimit, ndërsa nënvizoi se është detyrim ligjor i bashkive krijimi i hapësirave dhe rrugëve të aksesit për mjetet zjarrfikëse, si dhe marrja e masave parandaluese për shmangien e zjarreve.

Drejtori i Departamentit të Sigurisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Dhimitraq Ziu, u shpreh se situata e zjarreve, veçanërisht gjatë javëve të fundit, ka marrë përmasa më të mëdha, duke bërë të nevojshme angazhimin e të gjitha strukturave për ndërhyrje në kohë.

Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit ka ndërhyrë për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve dhe dërgimin e tyre për ndjekje penale.

“Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash dhe ia ka dërguar strukturave vendore. Kemi pasur bashkëpunim të përkryer me organet e qeverisjes vendore”, tha Ziu.

Ai shtoi se strukturat e policisë kanë ngritur databaza për evidentimin e personave me precedentë penalë, rasteve në ndjekje penale dhe problematikave të evidentuara në territor, të cilat do të mbahen nën monitorim.

Gjithashtu, sipas tij, janë identifikuar subjektet që ushtrojnë aktivitete në pyje, veprimtaritë blegtorale, barinjtë që merren me kullotat, si dhe persona me precedentë penalë për kultivimin e bimëve narkotike, pasi në disa raste hapja e tokave të reja shoqërohet me djegie të qëllimshme dhe dëmtim të pronës.

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se sistemi shëndetësor është në gatishmëri për çdo lloj emergjence gjatë kësaj periudhe.

Ai bëri të ditur se sistemi paraspitalor është i koordinuar dhe janë marrë masa në bashkëpunim me qendrat spitalore verore, të cilat janë 36 në të gjithë territorin e vendit.

Brataj theksoi se vëmendje e veçantë i është kushtuar zonave malore dhe turistike, ku gjatë verës ka raste të turistëve që humbasin orientimin apo pësojnë dëmtime, duke bërë të nevojshëm identifikimin e këtyre zonave dhe rritjen e kapaciteteve të ndërhyrjes.

Ai bëri të ditur se janë shtuar 18 ambulanca të dedikuara për qendrat shëndetësore verore, krahas shërbimit të zakonshëm që funksionon gjatë gjithë vitit.

Brataj propozoi gjithashtu krijimin e strukturave të lëvizshme autonome të emergjencës, të cilat do të mund të vendosen pranë zonave me rrezik të shtuar.

Sipas tij, modeli i ekipeve të integruara të emergjencës (Emergency Medical Team), ku bashkohen logjistika, zjarrfikësit, shërbimet mjekësore, policia dhe strukturat e tjera përgjegjëse, do të garantonte një menaxhim më efikas të situatave.

Në emër të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Razije Mehmeti deklaroi se FA kanë qenë dhe mbeten gjithmonë në gatishmëri për të mbështetur pushtetin vendor dhe komunitetet në përballimin e emergjencave.

Ajo theksoi se Forcat e Armatosura angazhohen si në operacionet për shuarjen e zjarreve, ashtu edhe në operacionet e kërkim-shpëtimit, në përputhje me kapacitetet e deklaruara.

“Jemi gjithmonë në gatishmëri dhe në mbështetje të pushtetit vendor për çdo situatë”, u shpreh gjeneral brigade Mehmeti.

Mbledhja e Komitetit Teknik Këshillimor u zhvillua në kuadër të përgatitjeve dhe masave parandaluese për sezonin e verës, me qëllim menaxhimin sa më efikas të situatave të emergjencave civile dhe garantimin e sigurisë në të gjithë vendin.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›