Masakrohet në lokal vëllai i prokurorit
Plagosja e rëndë, në një lokal të njohur në Lundër. Sokol Rreshka, në gjendje të rëndë në spital
TIRANË- Masakrohet rëndë në një nga komplekset në periferi të Tiranësvëllai i një prokurori dhe i një oficeri policie. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së dielës në Lundër të Tiranës, kur Sokol Rreshka, 22-vjeç, është plagosur me sende të forta. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se autori i dyshuar i plagosjes së Rreshkës është 22-vjeçari Taulant Spahiu, ndaj të cilit u mor masa e arrestit. Ndërkohë që për këtë ngjarje u arrestuan edhe dy persona të tjerë. Olsi Mema, 22 vjeç, dhe Dervin Logu, 21 vjeç u arrestuan pasi akuzohen për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “përkrahjes së autorit të krimit, kryer në bashkëpunim”, ndërsa ndiqet në gjendje të lirë Mesida Ll, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në shoqërinë e autorit.
Ngjarja
Rreth orës 1:00 pas mesnate, duke u gdhirë dita e diel, ka nisur një sherr për motive të dobëta mes 22-vjeçarit Taulant Spahiu dhe moshatarit të tij, Sokol Rreshka. Mësohet se Rreshka ka qenë me shoqërinë e tij në lokalin e njohur në periferi të Tiranës, ndërsa pranë tij ndodhej Taulant Spahiu në shoqërinë e një vajze dhe dy shokëve të tij. Burime nga policia thanë se dyshohet se Rreshka ka hedhur një shikim nga tavolina ku qëndronte Spahiu, gjë e cila ka qenë edhe “molla e sherrit” mes tyre. Pas fjalëve fyese të ndërsjella, Spahiu ka goditur moshatarin e tij me gota dhe shishe duke e plagosur rëndë në kokë. Ai është larguar me shpejtësi duke u shpëtuar për disa orë prangave të policisë.
Policia
Sokol Rreshka u transportua menjëherë në spital, pasi mori dëmtime të rënda në fytyrë e kokë. Ndërsa në vendin e ngjarjes mbërriti policia, për të zbuluar shkaqet dhe autorët e ngjarjes. Seksioni Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit pranë policisë së Tiranës pas hetimeve të para mundën të identifikonin autorin e kësaj plagosjeje i cili dyshohet të jetë Taulant Spahiu. Ky i fundit u arrestua të dielën dhe sipas burimeve të policisë, ai ishte ndihmuar nga dy shokët e tij Olsi Mema e Dervin Logu të fshihej për t’i shpëtuar prangave të policisë. Pas arrestimit të Spahiut në qeli përfunduan dhe dy shokët e tij, pasi nuk kallëzuan ngjarjen dhe ndihmuan autorin e saj. Ndërkohë që në gjendje të lirë do të ndiqet edhe vajza që ndodhej me autorin për të cilën dyshohet të ketë nisur sherri. Burimet policore thanë se Rreshka ka “hedhur” sytë nga tavolina ku ndodhej Spahiu, gjë e cila ka revoltuar këtë të fundit duke shkaktuar edhe plagosjen. Megjithatë, të njëjtat burime thanë se ende nuk është sqaruar plotësisht shkaku i kësaj plagosjeje.