E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga autorëve të 17 vjedhjeve në Tiranë

OPERACIONI

TIRANË- Operacioni “Plazma” çon në qeli dy të rinj, të akuzuar për 17 vjedhje. Fabjan Laçi, 21 vjeç, dhe D. Ç, 17 vjeç janë arrestuar dy ditë më parë në Tiranë, pasi akuzohen për një sërë vjedhjesh të kryera në kohë dhe vende të ndryshme në kryeqytet. Burime zyrtare nga policia thanë se 21 dhe 17-vjeçari akuzohen se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, aktualisht të arrestuar dyshohet se kanë kryer 17 vjedhje në kryeqytet. Katër të rinjtë gjatë këtij viti kanë vjedhur katër lokale, shtatë dyqane, pesë banesa, si dhe kabëll në firma të ndryshme. Seksioni i luftës kundër vjedhjeve të tjera pranë policisë së Tiranës kishte regjistruar denoncimet e këtyre vjedhjeve të cilat kanë ndodhur në harkun kohor mars-gusht të këtij viti. Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Ndërkohë që pak kohë më parë, policia mundi të zbulonte dhe të arrestonte një 17 dhe një 14-vjeçar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin realizuar 17 vjedhje. Por hetimet e mëvonshme zbuluan se dy të arrestuarit kishin edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Burime nga policia thanë se në këto vjedhje kishin marrë pjesë edhe 21-vjeçari Fabian Laçi e 17-vjeçari me iniciale D.Ç. Menjëherë ndaj tyre u lëshua urdhri i arrestit i cili u ekzekutua dy ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Plazma”. Burimet nga policia thanë se katër të rinjtë operonin “aktivitetin” e tyre kryesisht në rrugën “Gjergj Legisi”, “Josif Pashko”, dhe“Don Bosko” në Tiranë. Ata vidhnin kryesisht sende me vlerë si dhe shuma të vogla parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›