E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mashtrimi online “XUEX”, arrestohet i dyshuari si organizator për Divjakën

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Policia e Fierit ka ndaluar një 35-vjeçar, i dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës i platformës online “XUEX”.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi E. Sh., 35 vjeç.

Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.

Policia bën të ditur se, çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.

Më herët Policia e Shtetit në kuadër të operacionit policor të koduar “XUEX”, për goditjen e veprimtarisë kriminale online të skemave piramidale ka arrestuar 6 shtetas.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës Fier, u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online.

Skema “XUEX” funksiononte mbi modelin klasik piramidal ku qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën pesë persona të tjerë në sistem, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa më e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura premtoheshin.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›