E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Putin propozon zgjatjen e traktatit të çarmatosjes bërthamore “New Start” me SHBA-në

MOSKË, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin ka propozuar zgjatjen njëvjeçare të traktatit të çarmatosjes bërthamore “New Start”, të nënshkruar mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, afati i të cilit mbaron shkurtin e ardhshëm.

Gjatë një takimi ai deklaroi se “Rusia është gati, pas 5 shkurtit 2026, të vazhdojë të përmbushë kufizimet e parashikuara nga traktati”.

“Për më tepër, duke u bazuar në një analizë të situatës, ne do të marrim një vendim lidhur me ruajtjen e mëtejshme të këtyre kufizimeve”, shtoi ai.

“Ne mendojmë që kjo masë do të jetë e zbatueshme vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të sillen në mënyrë reciproke dhe nuk do të marrin masa që dëmtojnë ose shkelin raportin aktual të aftësive parandaluese , vazhdoi presidenti rus.

Afati i traktatit “New Start”, marrëveshjes së fundit mbi kontrollin e armatimeve mes Uashingtonit dhe Moskës, pritet të mbarojë në shkurt 2026.

Ai kufizon secilën palë në 1550 koka sulmuese strategjike të vendosura dhe parashikon një mekanizëm verifikimesh, edhe pse këto janë ndërprerë që nga momenti që Moska ka pezulluar pjesëmarrjen, dy vite më parë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën gjithashtu në 2019-ën nga një traktat i madh çarmatimi, i përfunduar në 1987-ën me Rusinë, mbi armët bërthamore me rreze të mesme veprimi (INF)./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›